E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK: Referendum për të ndryshuar Kodin Zgjedhor

Demokristianët janë shprehur kundër Kodit të ri Zgjedhor, duke deklaruar se ai ka krijuar pasiguri në sistemin politik. Sipas PDK-së, Kodi Zgjedhor u miratua në konsensus dhe pa transparencë nga dy partitë e mëdha. PDK-ja është kundër këtij kodi, i cili deformoi vullnetin e zgjedhësve dhe përjashtoi nga përfaqësimi politik faktorë të rëndësishëm të jetës politike të vendit, duke kufizuar pluralizmin dhe liritë politike të qytetarëve dhe nuk garantoi një qeverisje të sigurt e të shëndetshme për katër vitet e ardhshme. PDK gjykon se qeverisja hibride e koalicionit të krijuar nga kriza e prodhuar prej Kodit Zgjedhor ndërmjet PD dhe LSI nuk do të jetë as qeverisje integrimi dhe as qeverisje progresi, por vetëm vazhdimi i mëtejshëm i krizës, çka do të frenojë zhvillimin e vendit dhe procesin e integrimit të tij në Bashkimin Europian. Duke analizuar situatën e krijuar nga këto zgjedhje të deformuara, drejtuesit e PDK-së janë shprehur se do të kërkojnë rishikimin e sistemit zgjedhor nëpërmjet referendumit popullor. Sipas PDK-së, qytetarët duhet të jenë ata që vendosin për sistemin dhe jo partitë dhe individët që duan t‘u imponojnë qytetarëve pushtetin e tyre nëpërmjet ligjeve jodemokratike dhe problematike. PDK i ka bërë thirrje KQZ-së që të respektojë ligjin në fuqi dhe të shqyrtojë me paanshmëri politike të gjitha ankimimet e depozituara pranë tij nga forcat politike të dëmtuara nga parregullsitë e procesit. PDK ka bindjen se nga rinumërimi i votave në Qarkun e Shkodrës, fiton një mandat përfaqësimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›