E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre kandidatë për deputetë padisin Moisiun

Tre kandidatë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit padisin ish-presidentin e Republikës, Alfred Moisiun, nën akuzën e shpifjes. Asllan Dogjani, Vangjel Tavo dhe Nazmir Bilani pretendojnë se janë fyer nga ish-kreu i shtetit gjatë publikimit të një raporti "kandidatët e padenjë për deputetë", ku emrat e tyre figuronin në listë. Paditë janë regjistruar në Gjykatën e Tiranës disa ditë më parë dhe më pas është hedhur shorti për gjyqtarët që do t‘i shqyrtojnë. Padia e Asllan Dogjanit kundër Moisiut do të gjykohet nga Kreshnik Omari, padia e Vangjel Tavos do të gjykohet nga Martin Deda dhe padija e Nazmir Bilanit do të gjykohet nga Arben Micko. Objekti i tyre është i njëjtë: ish-presidenti Alfred Moisiu na ka fyer dhe parashikohen nga neni 120 i Kodit Penal. Përmbajtja e nenit thotë se "përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër që dihet se janë të rremë, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit". Por tre kandidatët për deputetë pretendojnë se kjo vepër është kryer botërisht, që parashikohet nga paragrafi i dytë i nenit 120, i cili thotë se "kur kjo vepër kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet". Koalicioni qytetar për një "Parlament të pastër", pas një skanimi që u është bërë gjithë kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit, publikoi para zgjedhjeve "listën e zezë" të kandidatëve për deputetë të padenjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›