Muçaj: Rehabilitim i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, shërbim modern i transportit

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme u shqyrtua sot projektligji “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri”.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj u shpreh se, objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, 34 km, për të mundësuar ofrimin e një shërbimi modern të transportit, arritjen e lëvizshmërisë së gjelbër të qëndrueshme, zbatimin direktivave të Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e kërkesave të financuesve.
Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Po ashtu, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sh.a., (KESH, sh.a.) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin fotovoltaik (FV) solar nga KESH-i”.
I ftuar ishte zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Besian Kadiu.
Në fjalën e tij në prezantim të këtij projektligji, Kadiu u shpreh se, projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sh.a., (KESH, sh.a.,) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin fotovoltaik (FV) solar nga KESH-i.
Ky projekt synon projektimin, ndërtimin dhe operimin e një impianti fotovoltaik diellor me kapacitet 50 MËp në zonën e Belshit, në kuadër të promovimit të projekteve të “Energjisë së Gjelbër”, si një masë e rëndësishme në sektorin e energjisë për rritjen e sigurisë së furnizimit me energji, zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë e sektorit të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, duke diversifikuar portofolin e prodhimit të energjisë dhe reduktimin e mundshëm të varësisë aktuale nga burimet hidrike.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.
/gj.m/a.f/r.e/