PD:Rama po betonizon parkun e liqenit

Deputeti i Partisë Demokratike Florion Mima deklaroi sot se Bashkia e Tiranës do të betonojë 130 mijë m2 sipërfaqe në afërsi të Liqenit Artificial ku e drejta e ndërtimit i është dhënë njerëzve të afërt të kryebashkiakut Rama. Sipas deputetit demokrat sipërfaqja shtrihet në afërsi të kodrave të Liqenit Artificial, Kopshtit Zoologjik dhe parkut të lodrave pranë Aquadronit. "Aty përfshihet një sipërfaqe e studiuar për t'u betonuar prej rreth 130 mijë m2. Nga këto, mbi 90% u është akorduar njerëzve të afërt, madje shumë të afërt të kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe, jo pa qëllim, një sipërfaqe fare e vogël, është rezervuar edhe për firma që nuk kanë lidhje me të", tha Mima.
Sipas tij intensiteti i ndërtimeve në këtë zonë pritet të jetë ndër më të lartët në vend, jashte çdo lloj parametri ligjor.
Në emër të deputetëve të qarkut të Tiranës Mima i ka kërkuar kryeministrit të vendit, i cili është njëhereazi edhe kreu i KRRTRSH, të marrë masa urgjente për ta shndërruar këtë zonë në një zonë argëtimi, në harmoni edhe me pjesën tjeter të zonës, kodrat, liqenin artificial, pishinat, parqet botanike dhe zoologjike etj.