E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Opozita të mospengojë heqjen e vizave

Brenda këtij viti do të hyjë në fuqi vendi mi për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Libor Roucek, garantoi dje se brenda këtij viti shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht në hapësirën Shengen. Duke u përgjigjur për këtë çështje, më konkretisht Roucek u shpreh se "Hyrja në fuqi e vendimit për liberalizimin e vizave parashikohet të bëhet brenda këtij viti për Shqipërinë". Ndërkohë që edhe eurodeputetët e tjerë, u shprehën dje tepër optimistë se brenda këtij viti shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht. Eurodeputeti Arnaud Danjean, u shpreh dje se çështjet e përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, si për Shqipërinë edhe për Bosnje- Hercegovinën, janë drejt perfeksionit. Ndaj sipas tij, Komisioni Evropian i ka dhënë edhe pak kohë të dy vendeve, që të realizojnë në përsosmëri edhe ato çështje të mbetura. "Koha deri në vjeshtë për dy vendet, është dhënë për perfeksionimin e perfomancës së tyre në realizimin e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Është një procedurë e ndjekur edhe për vendet e tjera", theksoi Danjean. Ai vlerësoi se kushtet e përcaktuara për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, janë realizuar dhe tashmë pritet perfeksionimi i tyre. Po kështu, në të njëjtën linjë edhe deputeti tjetër i Parlamentit Evropian, Elmar Brok, tha se eurodeputetët janë optimistë se liberalizimi i vizave për shqiptarët nuk do të vonojë. Sipas tij në këtë situatë, partitë politike në Shqipëri, duhet të kujdesen për stabilitetin e vendit, i cili ka rëndësi. "Stabiliteti politik i vendit ka rëndësi dhe opozita duhet të jetë pjesë e diskutimeve brenda në Parlament, si dhe të kontribuojë për procesin e liberalizimit të vizave", tha Brok. Në këtë kuadër, eurodeputetët siguruan se pavarësisht çështjeve apo situatës politike në Shqipëri, nga Evropa vlerësohen hapat e bërë në përmbushjen e procesit të liberalizimit të vizave. Për këtë arsye, ata u shprehën tepër optimistë se shqiptarët do të mund të lëvizin lirish pa viza në hapësirën Shengen brenda këtij viti. Aktualisht në Komisionin Evropian po diskutohet raporti prej 44 faqesh për përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për procesin e liberalizimit të vizave në Shqipëri. Vendi ynë vlerësohet se i ka përmbushur përgjithësisht kërkesat, në kapitujt e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›