PE miraton rezolutën, thirrje për njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë! Vuçiç: S’do ndodhë

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”. Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet. Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.
Po ashtu, në rezolutën e PE-së u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.
Raportuesi për Serbinë në PE, Vladimir Biliçek, ka konfirmuar se ai nuk ishte në favor që në rezolutë të përfshihej thirrja për njohjen e ndërsjellë.
“Siç kam thënë unë nuk isha i lumtur për këtë. Sidoqoftë, ekziston realiteti politik dhe shumica e vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën. Dialogu tashmë është duke u zhvilluar me pjesëmarrjen e të dy palëve”.
Për rezolutën ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se njohja e Kosovës nuk ka për të ndodhur.
“Bukur, pastër, qartë, nuk do ta bëjmë’- tha Vuçiç.