Shkup/ Michel: Po pranuat propozimin francez, hapen negociatat! Kovaçevski: Propozimi njeh gjuhën maqedonase

Nëse Maqedonia e Veriut pranon propozimin francez që u jep zgjidhje mosmarrëveshjeve me Bullgarinë për gjuhën dhe historinë, negociata dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare do të bëhet në ditët në vijim. Këtë e bëri të qartë kreu i Këshillit të Evropës, Charles Michel nga Shkupi ku ndodhet për vizitë zyrtare. Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se propozimi francez njeh gjuhën e pastër maqedonase.
Përtej këtyre mesazheve, në Shkup prej ditësh kanë vijuar protestat qytetare që qeveria të mos e pranojë propozimin francez, i cili nga një pjesë e popullsisë po konceptohet si ultimatume që jep BE.
“Personalisht kam besim se kjo është një zgjidhje e balancuar që adreson shqetësimet tuaja dhe qëllimi është i qartë, të fillojmë negociatat e anëtarësimit dhe të ecim përfundimisht drejt ndërtimit të së ardhmes sonë të përbashkët në BE. Nëse thoni po, konferenca e parë ndërqeveritare do të organizohet në ditët në vijim”, tha Michel.
Nga ana tjetër Kovaçevski tha se gjatë ditëve të kaluara propozimi francez është diskutuar në takime konsultative me liderët e koalicionit qeveritar dhe me përfaqësues të opinionit ekspert dhe mediave, si dhe me partitë opozitare.
“Ky propozim është baza e çështjes jashtëzakonisht të rëndësishme të progresit dhe sigurimit të asaj që kemi pritur për 17 vjet, pas marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Propozimi është në përputhje të plotë me Rezolutën e Kuvendit për qëndrimet shtetërore në kontestin me Bullgarinë, gjë që tregon se qeveria, unë si kryeministër dhe institucionet kompetente përfaqësojmë me përgjegjësi interesat e shtetit jashtë dhe brenda”, tha Kovaçevski.
Protestuesit në Shkup kundërshtojnë propozimin e Macronit për heqjen e vetos bullgare, pasi pretendojnë se propozimi francez lejon “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk njeh as gjuhën e as historinë maqedonase.
/rtsh.al/