PE përshëndet referendumin në Serbi: Keqardhje që nuk u lejua mbajtja e tij në Kosovë

Nga Parlamenti Europian është mirëpritur referendumi në Serbi për të mbështetur ndryshimin e Kushtetutës, që sipas Brukselit e bën sistemin e drejtësisë më të pavarur.
“Ky është një hap i rëndësishëm në rrugën e Serbisë drejt integrimit në BE”, thuhet në një deklaratë të një grupi eurodeputetësh.
Në deklaratë kërkohet që problemet e raportuara me administratën zgjedhore gjatë referendumit të korrigjohen para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që zhvillohen në muajin prill.
“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të miratuara me referendum si dhe reformat e tjera në shtetin e së drejtës”, vijon deklarata.
Eurodeputetët e mbyllin mesazhin e tyre duke shprehur “keqardhjen që nuk u arrit asnjë marrëveshje me Kosovën për të lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë edhe në Kosovë”.