PERGJIGJET RAMA: Saliu ka humbur ekuilibrin mendor
Me poshte eshte pergjigja e liderit te opozites per akuzat e sotme te reja te kryeministrit te vendit:
"..I njehsuar me krizën e thellë të demokracisë, të shtetit të së drejtës,
të ekonomisë së vendit dhe i kapur me presh në duar përballë presionit në rritje të popullit opozitar për hapjen e kutive të votimit, Sali Berisha, pasi na e ka dhënë para pak ditësh provën se ka humbur përfundimisht jo vetëm qetësinë, por edhe ekuilibrin mendor, është lëshuar tashmë i tëri në një fushatë akuzash e shpifjesh pafre.
Kjo fushatë është klithma e hajdutit që bërtet kapeni hajdutin!
Është klithma e frikacakut që bërtet për t'i mbushur mendjen dynjasë se s'ka frikë!
Është klithma e Saliut të Dytë që i kujtohet përditë e më shumë fundi i Saliut të Parë! Nuk ka faj, është kapur mat!
Sot ishte dita e fundit e afatit të opozitës për reflektim!
Opozita nuk ka dhënë ultimatum, po afat për reflektim!
Ndërkohë që pasi e ktheu kohën për reflektim në kohë për tërbim, Sali Berisha doli sot me një palodosje për të mbështetur, mbi gjoja fakte, gjithë alibinë e turpshme të ngritur nga frika e së vërtetës, sipas të cilës, përballë tij nuk është opozita e vendit,
po një aleancë punisto-mafioze.
E nisi para pak ditësh me mua, me kryetarin e opozitës, duke treguar nga foltorja e parlamentit monstruozitete të fabrikuara nga ai vetë dhe të mbajtura dhjetë vjet me rradhë në dollapin e armëve të luftës së tij të përdalë politike.
Të cilat i ka nxjerrë sa herë është zënë ngushtë. U mor me të afërm e miq të mitë, duke mbajtur fjalimin më të turpshëm në historinë e atij parlamenti.
Pse e bëri Saliu këtë gjë dhe kur e bëri?
E bëri sepse pa 100 mijë vetë që i kërkojnë dhe do t'i kërkojnë, deri në fund,
jo pushtetin e tij mizerabël, po të drejtën e tyre të panegociueshme.
Dhe e bëri kur e kuptoi se me të vërtetë nuk ka asnjë shans të joshë e blejë me paratë e ndyra të korrupsionit deputetët që i duhen për të thënë se parlamenti ekziston dhe s'është vetëm një komitet qendror banal i partisë në pushtet.
Po sot pse kaloi nga unë dhe të afërmit e miqtë e mi, tek pseudodosja e gjoja kupolës mafioze, duke përgojuar si një çafkë e çartur emra sipërmarrësish të lirë të kësaj republike, ndër ta edhe deputetë të Partisë Socialiste që vijnë nga bota e biznesit?
Përpara sesa t'ju them pse, më lejoni t'ju sqaroj:
Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk jep leje ndërtimi po firmos leje që jepen nga KRRT-ja me 9 anëtarë.
4 anëtarë janë të emëruar drejtpërdrejt nga Sali Berisha dhe 4 anëtarë janë të zgjedhur nga Partia Socialiste, përfshirë edhe mua si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Anëtari i 9 është zgjedhur konsensualisht edhe nga PS edhe nga PD.
Ky formulim i KRRT-së është bërë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007, sepse deri në vitin 2007 shumicën që ka vendosur gjithshka e ka pasur Sali Berisha, më parë kryeministrat e tjerë e kështu me radhë.
Po ashtu nuk ka asnjë leje, asnjë të vetme, ku unë të kem përdorur votën time për të bërë shumicë.
Lejet janë dhënë me votë të plotë të KRRT, ndërkohë që deri në vitin 2007 s'kam marrë pjesë në asnjë mbledhje të KRRT-së që kontrollohej nga njerëzit e Saliut, edhe pse kam firmosur siç ma dikton ligji çdo vendim të atij organi kolegjial.
Ashtu sikundër nuk ka asnjë leje, asnjë të vetme, të dhënë mbi ndonjë pronë publike, ndërkohë që për shpifjen lidhur me gjoja shitjen nga ana ime të një prone publike tek Parku Rinia sot është depozituar një padi civile ndaj Sali Berishës dhe Sokol Olldashit në Gjykatën e Tiranës, ashtu sikundër është depozituar edhe një padi për shpifje lidhur me leje ndërtimi bërë nga foltorja e Partisë Demokratike dhe do të depozitohen përditë padi për çdo shpifje që do nxjerrë goja e përdalë e Çafkës që na qeveris.
Sali Berisha duhet ta harrojë se do tërheqë popullin zvarrë në baltën e kësaj maskarade shpifjesh e akuzash për ta larguar nga beteja për demokraci,
për zgjedhje të lira e të ndershme, për shtet të së drejtës për të gjithë shqiptarët.
Shpifjet e akuzat e tij Sali Berishës do t'i duhet t'i provojë një për një në gjykatat e këtij vendi dhe deri në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Do të jetë një betejë e vështirë sepse ky palo burrë i kthyer në çafkë që krokat kundër gjithkujt nuk ka pasur kurrë kurajën të provojë shpifjet e akuzat e tij në gjykatë kur e kanë çuar të tjerë përpara meje.
Kjo çafkë e shthurur e ka kthyer në një komedi luftën kundër korrupsionit
duke mos lënë gjë pa thënë për kundërshtarët dhe duke mos lënë njeri pa amnistuar duke u zgërdhirë sapo nga kundërshtarë i ka bërë shërbëtorë.
A ju kujtohet si u zgërdhi doktor Çafka në Pallatin e Brigadave kur përqafoi Fatos Nanon pasi nuk kishte lënë monstruozitet pa thënë për tetë vjet kundër tij?
S'besoj ta keni harruar kur ju tha shqiptarëve, ju keni të keqen se i merrni shumë seriozisht këto gjëra!
Po për Ilir Metën a ju kujtohet se çfarë balte e vreri derdhi për vite të tëra?
Dhe ja tani ku e ka vënë në prehër dhe e përkëdhel si kukullën e tij!
Nuk po merrem këtu se ç'ka thënë për të tjerë, ministra të tijtë sot që dje u përpoq t'i fuste në burg apo i bëri helaq në dru sepse ishin kundër tij!
Hapini gjyqet e komunizmit e të fashizmit ndaj kundërshtarëve!
Hapini dhe lexoni monstruozitetet e thurura me shpifje e dëshmitarë të rremë
për të mbuluar kundërshtarin me baltë dhe për ta nxjerrë atë një shëmbëlltyrë të së keqes!
Ky njeri, ky turp kombëtar që i ka shërbyer diktaturës 25 vjet si një qen gjahu,
që ka internuar një familje të ndershme mjekësh në kohën e Enverit duke bërë pikërisht këtë që bën sot, duke shpifur, ky palo burrë që e ka kthyer në qenef debatin politik në Shqipëri, është një i pashpresë, një i vjedhacak i mjerë votash që është kapur mat tek kutitë që mban peng, një gërmadhë morale që s'ka asnjë lidhje me të vërtetën, asnjë kurajë e ndershmëri karshi të vërtetës, asnjë lloj mundësie për t'i ikur së vërtetës.
Po le të kthehemi tek pyetja pse e bëri sot Sali Berisha këtë farsë?
Sepse Sali Berisha nuk është burrë që di të përballet me armët e të vërtetës,
po një burracak që kërkon të shpëtojë nga përballja e pashmangshme me të vërtetat e këtij populli duke kërcënuar disa që të dëgjojnë të tjerët.
Kërcënon mua që të dëgjojnë deputetët, kërcënon deputetët që të dëgjojë populli opozitar dhe nesër, të jeni të sigurtë, do të vazhdojë me kërcënimet në popull sepse e di, më mirë se të gjithë, më mirë se unë dhe se ju, që ka grabitur zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë.
Por ky gojë e mendjeshthurrur di po ashtu që e ka zhytur vendin në një krizë nga ku nuk e nxjerr dot demokratikisht dhe, i gjori Sali, gënjen veten se do ta nxjerrë forcërisht.
Kujton se do t'u mbyllë gojën forcërisht atyre që erdhën 100 mijë në 20 nëndor dhe do të vijnë dyfish herën tjetër.
Kujton se do t'u mbyllë gojën forcërisht atyre që do t'ia kërkojnë, një më një, llogarinë për shembjen e tunelit të Kalimashit, ku makutëria e tij për para dhe pushtet varrosi qindra miliona euro të paguara nga qytetarët e këtij vendi.
Kujton se do t'u mbyllë gojën forcërisht atyre që do t'ia tregojnë deri në fund këtij populli se ku ndryshojnë sulmet barbare të tij ndaj familjeve të kundërshtarëve nga akuzat e opozitës për njehsimin e interesave të familjes së tij me qeverisjen e vendit.
Kujton se do t'u mbyllë gojën forcërisht shqiptarëve që nuk munden më të paguajnë për pushtetin e tij që po i zhyt në varfëri e papunësi dhe po i bën të gjithë përditë e më të dobët përballë çmimeve që shtrenjtohen kudo.
Sali Berisha kujton se arsyeja e forcës do mundë forcën e arsyes.
E ka të kotë.
Nesër, në mesditë, në orën 12, unë do t'i drejtohem të gjithë popullit opozitar me një mesazh të plotë.
Për sot i them Sali Berishës:
Meqë e përmend shpesh tim atë dije se, nuk do të mundesh kurrë ta përkulësh Edi Kristaq Ramën.
Nuk do të mundesh kurrë të cenosh nderin dhe dinjitetin e familjes sime çfarëdo të thuash dhe sado ta përsërisësh.
Nuk do të arrish kurrë të zmbrapsësh Partinë Socialiste, deputetët dhe deputetet e saj që po i bëjnë vendit një shërbim historik dhe nuk do të të ndahen derisa të të ballafaqojnë me të vërtetën.
Nuk do t'ia dalësh kurrë të trembësh popullin opozitar që nuk ka darë për të shkulur dhëmbë, po ka grusht që do t'i thyejë, një e nga një, dhëmbët e korrupsionit tënd, dhëmbët e pushtetit të familjes tënde, dhëmbët e pushtetit të shërbëtorëve të tu dhe të klientëve e sekserëve të tu, dhëmbët e kësaj qenefpolitike që e ke kthyer në një gojë të stërmadhe që u ka nxjerrë shqiptarëve qejfit atdheun e tyre.