E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

PL, Blushi: Mbështesim thirrjet që dënojnë sulmet e Ramës ndaj SPAK

Partia e Lirisë deklaron se mbështet të gjitha thirrjet që dënojnë presionet banale politike të Edi Ramës ndaj SPAK dhe drejtësisë. Deklarata u bë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, pasi ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, kërkoi nga politika që t’i kursejë akuzat ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, në mënyrë që këta të fundit të kryejnë si duhet punën e tyre pa presion.

Reagimi i ambasadores erdhi pasi kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, sulmoi me tone të ashpra kreun e SPAK, Arben Kraja, duke e etiketuar “spurdhjak i partisë”. Meta është bërë objekt hetimi nga SPAK.

Por Blushi nënvizon se SPAK po sulmohet nga Rama, ndaj PL “mbështet të gjitha thirrjet që dënojnë sulmet dhe presionet banale politike të Edi Ramës ndaj SPAK dhe Drejtësisë”.

Sipas tij, është Rama që ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme SPAK dhe organet e tjera të drejtësisë në vend gjatë këtij viti, madje duke deklaruar “se po i soset edhe durimi me drejtësinë e re”.

“Partia e Lirisë është e vendosur për të ndihmuar dhe inkurajuar çdo ditë SPAK, siç po vepron, duke e furnizuar me prova të pakundërshtueshme dhe dokumenta origjinalë që provojnë botërisht vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe bandës së tij, kryesisht nëpërmjet aferës së inceneratorëve. Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar. I bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga cilësimet e SPAK, si krijesë të PS, siç bëri në Kongresin e Partisë së 9 majit kur tha ndër të tjera se: “SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti”, sepse të tilla kërcënime dhe shantazhe nga partia-shtet kompromentojnë rëndë funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe të bazuar vetëm në ligj.”,- shkruan Blushi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›