PL: Do të dyfishojmë pagat për mjekët dhe infermierët

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë në Partinë e Lirisë, Florida Ymeri, në një konferencë shtypi, deklaroi të hënën se Shqipëria meriton një sistem shëndetësor të ndershëm, të drejtë dhe funksional.
Sipas saj, shëndetësia shqiptare ndodhet në krizë, jo vetëm mjekësore, por edhe besimi dhe funksionimi.
Ymeri theksoi se plani i “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”, lidhur me reformimin e shëndetësisë shqiptare, parashikon rritje të buxhetit për shëndetësinë në të paktën 6% të PBB, për të garantuar financim të qëndrueshëm për barna, pajisje e teknologji bashkëkohore.
“Dyfishim i pagave për mjekët dhe infermierët, për të frenuar largimin masiv të tyre drejt vendeve të tjera dhe për të rritur cilësinë e kujdesit shëndetësor. Furnizim i garantuar me barna esenciale falas për pacientët në spitalet publike, sepse barnat nuk janë luks, janë jetë. Besoj se “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” ka guximin, planin dhe vullnetin për ta sjellë këtë ndryshim, sepse shëndetësia nuk është çështje statistikash, është çështje jete”, tha Ymeri.
/rtsh.al/