E Diel, 1 Nëntor 2026

POLONI – Takim i jashtëzakonshëm pas kërcënimeve për vrasjen e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes

VARSHAVË, 11 tetor /ATSH-PAP/ – Shërbimet e sigurisë së Polonisë u mblodhën sot, pas një raportimi për një atentat të mundshëm ndaj kryeministrit, Donald Tusk dhe ministrit të Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.

Takimi, i thirrur nga ministri-koordinator i shërbimeve speciale, Tomasz Siemoniak, mblodhi përfaqësues të policisë, Shërbimit Shtetëror të Mbrojtjes (SOP) dhe Agjencisë së Sigurisë së Brendshme (ABW).

Në një konferencë për shtyp pas bisedimeve, Jacek Dobrzynski, zëdhënësi i Siemoniak-ut, tha se raportimet për një sulm të mundshëm ishin marrë fillimisht nga SOP-i.

“Bëhet fjalë për një mundësi të lartë që këto kërcënime të vihen në zbatim”, tha ai.

Dobrzynski deklaroi se autoritetet përcaktuan hapat e menjëhershëm gjatë këtij takimi urgjent.

“Ne e trajtojmë këtë çështje jashtëzakonisht seriozisht, madje me seriozitetin më të lartë,” tha Dobrzynski, duke përmendur radikalizimin në rritje si te të rinjtë, ashtu edhe te të rriturit./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›