E Hënë, 2 Nëntor 2026

POLONI – Tusk: Aleatët na kanë ofruar mbështetje për mbrojtjen tonë ajrore

VARSHAVË, 10 shtator /ATSH/ – Aleatët evropianë i kanë ofruar Polonisë oferta për të mbështetur mbrojtjen ajrore të Varshavës, tha kryeministri polak, Donald Tusk.

Tusk i bëri këto deklarata në X pasi bisedoi me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Holandës, Ukrainës dhe NATO-s.

“Në bisedat e mia sot… mora jo vetëm shprehje solidariteti me Poloninë, por mbi të gjitha propozime për mbështetje konkrete të mbrojtjes ajrore të shtetit tonë”, tha Tusk, pasi dronë të dyshuar rusë shkelën hapësirën ajrore polake mëngjesin e së mërkurës.

Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ka dënuar futjen e 19 dronëve rusë në hapësirën ajrore polake, duke e quajtur “sulm të paprecedent jo vetëm ndaj territorit polak, por edhe ndaj territorit të NATO-s”.

I ngarkuari me punë në ambasadën ruse është thirrur në bisedë pasditen e së mërkurës nga Ministria e Jashtme në Varshavë dhe atij i është dorëzuar një notë proteste, tha Sikorski për gazetarët.

Diplomati rus ka mohuar se dronët ishin rusë.

“Nëse do ta pranonin fajin, do të konsiderohej përparim”, tha Sikorski.

Ai e mohoi mundësinë se ky incident ishte shkelje aksidentale e hapësirës ajrore polake, shkruan REL./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›