E Enjte, 5 Nëntor 2026

PRAGË – Fiala: Rusia fshihet pas tentativës për zjarrvënie të autobusëve

PRAGË, 10 qershor /ATSH-DPA/- Republika Çeke ka akuzuar Rusinë se qëndron pas një tentative për zjarrvënie pas arrestimit të një të dyshuari terrorist në Pragë.

“Nuk është vetëm e mundur, por ka shumë të ngjarë që Rusia të jetë e përfshirë në këtë rast”, tha sot kryeministri Petr Fiala pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Gjithçka tregon se kjo është organizuar dhe financuar nga jashtë”, tha politikani liberal-konservator.

Sulmi i zjarrit të së enjtes së kaluar kishte në shënjestër autobusët që i përkisnin kompanisë së transportit publik të Pragës. Plani doli i pasuksesshëm, për shkak të reagimit të shpejtë të stafit të kompanisë.

Fiala falënderoi shërbimet sekrete dhe policinë për punën jashtëzakonisht të mirë dhe profesionale.

“Hetimet janë duke vazhduar”, tha ai.

Policia tha se i dyshuari, i cili u arrestua në fundjavë, është një i huaj 26-vjeçar. Burri kishte hyrë në vend vetëm disa ditë më parë.

Gjykata ka urdhëruar masën e paraburgimit. Ai akuzohet se ka kryer një vepër terroriste. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me një dënim me burg deri në 20 vjet. Sipas informacioneve të publikuara më herët, i dyshuari vjen nga Amerika e Jugut.

Republika Çeke është një nga mbështetëset e vendosura të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus.

Vendi anëtar i BE-së dhe NATO-s qëndron pas një nisme që synon të sigurojë deri në 800,000 predha artilerie për Kievin nga vendet jashtë BE-së.

Në të kaluarën, Republika Çeke e ka furnizuar Ukrainën me pajisje ushtarake, duke përfshirë mjete luftarake. //a.i/.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›