PRAGË – Ish-presidenti Gasparoviç: Sllovakia plotësisht e përçarë politikisht

PRAGË, 18 maj /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti i Sllovakisë, Ivan Gasparoviç deklaroi se përçarja e thellë brenda vendit do të mund të kapërcehej, pas përpjekjes për vrasjen e kryeministrit Robert Fico këtë javë.
“Sllovakia është plotësisht e përçarë”, u ankua 83-vjeçari Gasparoviç në televizionin publik çek duke shtuar se shoqëria kishte gjetur të paktën njëfarë unitet në këtë moment të tmerrshëm.
”Edhe ata që kanë pikëpamje krejtësisht të ndryshme për Ficon dhe politikën në Sllovaki e kanë kuptuar se gjërat nuk mund të vazhdojnë kështu”, tha Gasparoviç, një avokat që drejtoi vendin nga 2004 deri në 2014.
”Këshilli Kombëtar, parlamenti njëdhomësh i Sllovakisë, iështë bërë një tendë cirku dhe një ring boksi ku diskutohen çështjet private të politikanëve ose përhapet urrejtje”, vazhdoi ai.
Të mërkurën, Fico, 59 vjeç, u godit nga disa të shtëna me armë zjarri nga një sulmues i vetëm ndërsa ai përshëndeti mbështetësit në një shesh në qytetin qendror sllovak Handlova.
Ai aktualisht po shërohet në spitalin universitar në Banská Bystrica aty pranë pas një operacioni të gjatë.
Lidhur me gjendjen e Ficos pas operacionit, Gasparoviç tha se ”jo çdo gjë është në rregull, por gjendja e tij është e tillë që kemi shpresa të mëdha se do të përfundojë mirë”.
Një i dyshuar 71-vjeçar, i cili u akuzua të enjten për tentativën e vrasjes së Ficos, u cilësua nga autoritetet si një “ujk i vetmuar” i motivuar nga ankesat politike./ a.jor.