E Premte, 6 Nëntor 2026

UASHINGTON – ISW: Ukraina në disavantazh për shkak të kufizimeve të armëve amerikane

UASHINGTON, 18 maj /ATSH-DPA/- Kievi është në disavantazh në mbrojtjen e tij kundër forcave ruse për shkak të kufizimeve në përdorimin e armëve amerikane kundër objektivave në tokën ruse, sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW) me qendër në Uashington.

Raporti i fundit nga grupi i ekspertëve amerikanë, i publikuar dje, thotë se Rusia i shfrytëzon këto kufizime duke nisur sulme nga zonat e mbrojtura pranë kufirit me Ukrainën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar leje për përdorimin e armëve amerikane në territorin rus, gjë që aktualisht është mohuar nga SHBA-ja për të shmangur përshkallëzimin.

“Qasja e deritanishme e SHBA-së e ka kufizuar aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur kundër sulmeve ruse në veri të rajonit Kharkiv”, tha ai.

Sipas Pentagonit, SHBA-ja po siguron armët në mënyrë që Ukraina të mund të çlirojë territoret e saj të okupuara, por jo për sulme ndaj Rusisë.

Qëllimi i Ukrainës është të sulmojë bazat në Rusi me armë perëndimore për t’i shkatërruar ato në mënyrë sa më efektive sesa me dronët dhe raketat e saj më pak të fuqishme.

Nga ana tjetër, Rusia ka paralajmëruar për rrezikun e një përshkallëzimi të luftës nëse kundër tyre përdoren armë nga vendet e NATO-s. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›