PËRMBYTJA, NDESHJA GRAMOZI-REAL, DHE REGJIMI KORPORATIVIST
Nga MUSTAFA NANO
Ka kohë që në Shqipëri qarkullon lajmi mbi një ndeshje miqësore midis Gramozit të Ersekës dhe Realit të Madridit, e cila do të luhet në Tiranë. Këtë udhëtim egzotik të “galaktikëve madrilenë” do ta financojë kompania shqiptare “Taçi Oil International”. Në fakt, jo vetëm udhëtimin. Kjo kompani ka rënë dakord të paguajë dhe një shumë të mirë parash, të cilat do të shkojnë në arkën e klubit të famshëm madrilèn. është pikërisht kjo shumë, që e ka kandisur Florentino Perez-in të sjellë yjet e shumëkërkuar të futbollit botëror për të luajtur me çunat diletantë të Ersekës. Dhe kjo kuptohet. Ajo që s’para kuptohet ka të bëjë me kompaninë shqiptare. Pse vallë kjo e fundit është e gatshme të harxhojë një dorë të mirë parásh për një veprimtari thjesht sportive? Dikush mund të thotë se kemi të bëjmë me një operacion inteligjent marketingu. Ou? Po si kështu? A mos vallë për këtë ndeshje do të flasë shtypi e media botërore? Do t’i bëjë jehonë CNN-i, BBC-ja, Al Jazeera, etj, etj? Jo, as që bëhet fjalë. Ja, u bë ndeshja me Milanin, dhe i vetmi stacion televiziv që foli ishte stacioni homonimik “Milan Channel”. Afërmendsh, dhe televizionet e gazetat shqiptare. Quhet ky marketing?
Por edhe sikur të fliste gjithë bota mbi faktin, që ndeshja midis skuadrës së madhe të Realit e skuadrës së përunjur të Gramozit financohet nga “Taçi Oil International”, prapëseprapë nuk do të besohej se kompania shqiptare, bash për shkak të këtij “operacioni të suksesshëm marketingu”, do të hynte në mënyrë prepotente në tregun rajonal, kontinental e botëror të naftës, ku lojtarët e fortë imponohen ose me faktin që janë fare pranë burimeve (kompanitë arabe, fjala vjen), ose me emrin e me traditën (sidozot kompanitë amerikane), ose me forcën e regjimeve politike në mbështetje të tyre (kuptohet, kompanitë ruse).
“Mor po çfarë të duhet ty me marketingun e kompanisë në fjalë? është punë e Taçit se ku i çon paratë e veta” – mund të thotë ndokush. Përgjigja ime është e thjeshtë. Afërmendsh, mua nuk më duhet gjë me paratë e Taçit. As me strategjinë e tij të marketingut. Personalisht nuk e di se si Taçi është bërë biznesmen. Dhe as që dua ta di, pasi nuk kam ndonjë kureshtje kushedi se çfarë për të njohur gjëra nga bota e rrëmujshme dhe e mistershme e sipërmarrjes shqiptare. E vërteta është se kam hasur ditë për ditë një reagim e pakënaqësi të madhe (besoj, se të gjithë jemi dëshmitarë të këtij reagimi), por nuk kam patur ndërmend të bëhem interpret i këtij zemërimi popullor. Do më pëlqlente ta shihja të artikuluar në mass-media këtë zemërim (mass-media prandaj egziston), por vetë nuk e kam parë të udhës t’i jap zë në public këtij vox populi të dëgjuar në rrugë, në shtëpi, në supermarket-e, në kafene, etj. Nuk kam dashur pikërisht për ato arsye që thashë pak më sipër: punët e paratë e Taçit janë punët e paratë e Taçit. Më nxjerr pak nga binarët ideja që dikush çon dëm disa milionë euro në një vend si Shqipëria, ku me kaq para mund të riparosh e ndërtosh të gjitha shkollat e vendit, por në fund fare prapëseprapë them, që paratë e Taçit janë paratë e Taçit.
Mirëpo, dy ditë më parë, kur pashë një manager-e të kompanisë “Taçi…”, që premtoi se paratë e fituara nga shitja e biletave të ndeshjes, do të shkojnë në ndihmë të dëmtuarve nga përmbytja në veri të Shqipërisë, thashë me vete: në këtë rast nuk kemi të bëjmë as me operacione marketingu, as me gjeste bamirësie. Ky është një protagonizëm që nuk shkon me asnjë logjikë biznesi, është një tentativë e re komiko-tragjike për të ri-vefa-izuar kapitalizmin shqiptar, është një përpjekje për të rikrijuar modelin e sipërmarrësit, i cili në të njëjtën kohë bën një numur gjërash: ka normë të jashtëzakonshme fitimi (ndryshe, pse do t’i flakte tak-fak disa milionë euro), është aktor i ditëpërditshëm në skenën publike shqiptare, hedh copëra lëmoshash për njerëz në nevojë, e më në fund, është dhe klient i pushtetit politik. Fakti i fundit njihet botërisht, por edhe sikur të ish një marrëdhënie klientelare e konsumuar skutave e cepave, ajo do të dilte në shesh në rrethanat, kur kryeministri prêt e përcjell skuadrat e mëdha të futbollit, që ftohen në Tiranë me paratë e Taçit. Kryeministri ynë me siguri ish përgatitur të bënte të njëjtën gjë edhe me Ronaldon, Kakanë e të tjerët, të cilët do t’i priste në zyrën e vet e prej të cilëve do t’i dhurohej bluza me numrin 1, por përmbytja në veri ia prishi planet. Për fatin e keq të kryeministrit tonë qokaxhi, ky show i përgatitur deri në detaje nuk do të luhet (megjithëse ca miq të mij donin të vinin bast me mua, që Berisha do ta bëjë se s’bën orgjinë e planifikuar në zyrën e kryeministrisë).
Të përmbledhura, problemet që prezanton kjo lloj sipërmarrjeje, janë dy: i pari është guximi për të dalë në publik e për të na thënë të gjithëve, se “unë fitoj tmerrësisht shumë, aq shumë se s’e kam për gjë fare të flak disa milionë euro për një spektakël futbollistik që zgjat veç një orë e dyzetpesë minuta”. Lind pyetja: ç’janë këta biznesmenë, të cilëve u lipsen veç tre-katër vjet për t’u bërë aq të pasur, sa mund të pretendojnë blerjen e klubeve sportive me nam ndërkombëtar? Si shpjegohet pra ky krijim pasurie fët e fët? Kanë shpikur ndonjë kompani të çuditshme dot-com, a ndonjë start up, me të cilat operojnë në fusha të panjohura më parë? Apo kanë shpikur ndonjë motor të ri kërkimi në fushën e kibernetikës, që konkuron google-in e yahoo-në? Apo kanë ndërtuar ndonjë Silicon Valley në bregdetin shqiptar? Apo kanë bërë spekullime spektakolare në tregun ndërkombëtar të aksioneve, duke shitur e blerë options, futures, securities, mutual funds, etj? çfarë dreqin bëjnë këta që fitojnë kaq shumë? Kuptohet, nuk bëjnë asgjë të llojit të bizneseve apo shpikjeve që përmenda më sipër.
I dyti është guximi për të lozur politikisht, e për të mos e fshehur fare se lindin, gjallojnë, veprojnë e rriten e gjigandizohen sa hap e mbyll sytë nën kujdesin e një instance të epërme, gjë që ndodh veç në regjimet korporativiste (corporate, do thoshin anglo-saksonët), ku biznesmenët (ashtu si dhe gazetat, gazetarët, intelektualët, klerikët, akademikët, etj, etj), jo vetëm improvizohen nga qeveria, por edhe vihen në funksion të medemek projekteve e vizioneve (deri dhe të halleve) të qeverisë. Ne jetojmë tanimë në një sistem korporativist, jashtë të cilit është ose pamundur, ose e rrezikshme të jetosh. Ti mund të provokosh Gërdecin, e mund të përmbytësh gjysmën e Shqipërisë, por nuk të gjen gjë nëse je në shërbim të qeverisë. Në të kundërt, po të jesh kundër qeverisë, mund ta pësosh edhe pa bërë asgjë anti e jo ligjore. Berisha do të vazhdojë deri në fund me këtë strategji të ndërtimit të një regjimi korporativist, synimi i të cilit është të fabrikojë qytetarë të llojit të atyre shkodranëve, të cilët, të hipur mbi barka apo të zhytur deri në brez në detin me ujë, që ua shndërroi në hiç mall e katandi, gjenin rast të drejtoheshin nga kamerat e të ngrinin lart dy gishtat, si shenjë besnikërie ndaj të sëmurit psikik që sundon këtë vend gjithashtu të sëmurë. Duhet ta durojmë gjatë këtë regjim?
Foto te sot interneti petrit selimi
Kacafytja në arkën e Noehit
Ndër skenat më të gërditshme të javës janë ato të përleshjeve partiake në Shqipërinë e përmbytjeve biblike
Nga Petrit Selimi
Prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në rrugën Tringë Smajli (vasha të cilën New York Times më 1911 e ka quajtur “Zhan D'Ark shqiptare”), nja dy vite ishte e hapur një galeri simpatike arti e quajtur Rhizoma.
Ekspozita e fundit që e pashë në galeri ishte e kuruar nga Erzen Shkololli, me një video të Anri Salës, artistit më të famshëm shqiptar të të gjitha kohërave, dhe një seri punimesh të Edi Ramës, kryebashkiakut shqiptar i cili më 2004 u shpall një nga 50 njerëzit e vitit në botë nga revista prestigjioze TIME.
Punimet e Ramës ishin fotografi ndërtesash të mjeruara, mbi të cilat kishte intervenuar me laps, ngjyra, diku-diku edhe me ndonjë pikë kafe të derdhur aksidentalisht-që të gjitha pjesë e procesit të punës kur Rama ngjyrosi kryeqytetin e Shqipërisë me ngjyra. Ishin fragmente të një procesi të punës, por të ekspozuara si vepra arti, ishin ndër punimet më simpatike që kam parë. Ishin disi delikate dhe rrezatonin dashuri ndaj qytetit.
Vitin e kaluar, kur kosovarët pa ndonjë arsyeje racionale pos fetishizmit ndaj autostradës kombëtare dhe mallit për të pasur një baba (pas vdekjes së Ibrahim Rugovës) i madh e i vogël u bënë me Saliun, kuptoja se pse fitorja e Ramës do të ishte e mirë për Shqipërinë. Nuk ka dyshim se Shqipëria do të bëhej më europiane dhe më mendjehapur me Ramën në pushtet.
Do të pranoj se prej momentit kur zgjedhjet degraduan në zënka të fëlliqta dhe diskutime të pakuptimta për kutitë e mbyllura, edhe nuk i kam përcjellë lajmet nga Shqipëria. Më dukeshin si një film i mërzitshëm i reprizuar shpesh në një kanal të mërzitshëm televiziv. Humbje kohe.
Aty-këtu përcjellja Lubonjën gjithnjë iluminues dhe Shkullakun e kosovarizuar (por ende elokuent), sa për të konfirmuar se gjërat megjithatë nuk lëvizën dot me Ramën si lider kombëtar, edhe pse opozitar. Me diskurs të njëjtë dhe pallavra të njëjta, Rama e Berisha filluan të më bëhen si dy anë të të njëjtit metelik. Ndoshta Berisha m’u duk më i krisur pas tiradës së tij të pabesë dhe pafalshme personale kundër Ramës, në foltoren e Kuvendit Shqiptar.
Ja që dola naiv kur në momentin e përmbytjeve gati biblike në Shqipëri, shpresova që Berisha e Rama do ta harronin - së paku për ca ditë - konfliktin e egër midis tyre. Ndoshta edhe do të shkonin bashkë në Shkodër, ku shtresa më fukara e shqiptarisë u ballafaqua me një sfidë që ia mori edhe ato pak posedime që ka.
Dëgjojmë nga socialistët akuza jo fort bindëse se përmbytjet u shkaktuan nga korrupsioni e jo moti apo Zoti, askund pa i hasur detajet se si “korrupsioni” paska shkaktuar përmbytjet. A nuk përmbytet edhe Tirana e Edit sa herë që bie një shi më i fortë?
Në anën tjetër, gazetat e demokratëve ndajnë më shumë hapësirë sulmeve idiotike ndaj Ramës, sesa betejës titanike që bëjnë shkodranët me ujin.
Gjatë dyluftimeve në mes të liderëve, deputetëve dhe zëdhënësve të antagonizuar, nuk ka ndonjë analizë të veprimeve, apo fokusim në kapërcimin e problemit. Ndoshta paragjykoj, por të dyja palët më duken më të përqendruara në shkumë goje se në shkumën e Bunës apo Drinit.
Pa dashur të përdori shumë patos në kolumne vikendi, duhet të them se lajmet televizive në Shqipëri më pikëllojnë.
Dhiata e vjetër e ka që në Zanafillë rrëfimin mbi Noehin. Aty thuhet se Zoti pa se paudhësia e njerëzve përmbi tokë ishte e madhe dhe se çdo mendim i zemrës së tyre nuk synonte tjetër, por që të bëjë vazhdimisht të keqen. Zotit i erdhi keq pse e krijoi njeriun përmbi tokë. I erdhi keq thellë në zemër e tha: “Do ta shuaj prej faqes së dheut njeriun që e krijova: njeriun, bagëtitë, zvarranikët edhe shpendët e qiellit, sepse po më vjen keq që i krijova”.
Nuk jam aspak fetar dhe pikërisht rrëfimi mbi Noehin më doket më fantastiku prej të gjithë kapitujve të librave fetarë.
Shkodrën nuk e dënoi Hyji. Shkodranët e shkretë që po kalojnë netët me frikë nga fuqia e ujit të pandalshëm janë viktima të problemeve endemike që ka Shqipëria me sisteme të stërvjetruara apo inekzistente të mbrojtjes nga vërshimet. Ka mungesë të mjeteve teknike, ekspertizës, eksperiencës-si në shumicën e fushave tjera në shtetin më të varfër të Europës.
Ishalla shkodranët dhe të gjithë të tjerët që janë prekur nga përmbytjet do t’i gjejnë arkat e tyre e do të shpëtojnë pa humbje të jetës, por një gjë e di-në një arkë të njerëzve të mirë, çifti Berisha-Rama vështirë se do të gjente vend.
Ata dëshmuan edhe një herë se edhe kur kombi ballafaqohet me më të keqen, kohën do ta shpenzojnë në kacafytjen e pandalshme dhe jonjerëzore.
Pseudo shkenca në shërbim të demonizimit të një kombi
Valon Kurtishi
Falsifikimi i historisë
Marrëdhëniet në mes të kombeve/kulturave të ndryshme në periudha të caktuara historike janë shpeshherë peng i imazhit për tjetrin që zbulohet/imagjinohet, përpunohet dhe në fund edhe publikohet në forma të ndryshme nga politika zyrtare, rrethet shkencore, mediat apo në përgjithësi nga i quajturi “opinion publik” i një shoqërie të caktuar. I ngjashëm është rasti edhe me imazhin që është krijuar për kombin tonë nga ana e mendimtarëve të ndryshëm ballkanikë që në përgjithësi ngjajnë të jenë të kombësive serbe e greke. Që në të kaluarën më të largët historike për të përmendur vetëm kronistët e ndryshëm bizantinë, e veçanërisht në periudhën e vlimeve të fuqishme politike në Europën juglindore gjatë shekujve XIX dhe XX, një numër i madh i historianëve, antropologëve, politikanëve, publicistëve, udhëpërshkruesve, gjuhëtarëve grekë dhe serbë kanë shkruar vepra të veçanta apo kanë përmendur në vepra të tjera shqiptarët dhe Shqipërinë. Janë trajtuar në këto vepra gjuha, kultura, origjina, karakteristikat antropologjike, etnopsikologjia, territori, religjioni, në përgjithësi çdo gjë shqiptare. Dhe këto shkrime kanë në të shumtën e rasteve konotacione shumë negative për popullin tonë dhe kulturën shumë të pasur shekullore të tij. Këto shkrime në shumicën e tyre karakterizohen nga një rrymë e theksuar e shovinizmit, mosdurimit etnik, superioritetit kombëtar apo edhe urrejtjes racore për kombin tonë. Ky mosdurim ndaj etnisë tonë në shkrimet e këtyre autorëve ka marrë shpeshherë ngjyrime raciste të ngjashme me përshkrimet që autorë të ndryshëm të shkollës raciste në qytetërimin perëndimor u kanë bërë popullsive me ngjyrë të xhunglave të kontinentit afrikan në shekullin e XIX. Në këto libra historikë, gjeografikë, politikë, demografikë, udhëpërshkrues, gjuhësorë, artistikë etj, falsifikohet rëndë e vërteta shkencore mbi të kaluarën, të tashmen dhe mbi prospektet për të ardhmen e kombit tonë dhe marrëdhënieve të tij me kombet fqinjë sllavë dhe grekë. Në këto vepra falsifikohet rëndë dhe tentohet që të ngatërrohet duke plasuar teza nga më të çuditshmet dhe fantastiket vetë etnogjeneza e kombit shqiptar (si ajo e prejardhjes shqiptare nga Albania e Kaukazit p.sh). Manipulohet në lidhje me kalimin e elementit etnik ilir në atë arbër në mesjetën e hershme; në lidhje me kulturën iliro-arbërore të Komanit; në lidhje me shtrirjen gjeografike të etnisë shqiptare në mesjetë; në lidhje me përkatësinë kulturore të shqiptarëve të asaj kohe; në lidhje me migrimet apo shpërnguljet e shqiptarëve në drejtim të veriut apo jugut sipas presioneve të ndryshme historike; në lidhje me periudhën e sundimit bizantin dhe bashkëpunimin e popujve ballkanikë në luftën e tyre të përbashkët kundër sunduesve bizantinë; në lidhje me depërtimin e osmanëve aziatikë në territoret ballkanike dhe shqiptare dhe luftën e përbashkët të popujve ballkanikë kundër këtij depërtimi e më vonë edhe përpjekjet për të organizuar kryengritje të përbashkëta kundër sunduesve otomanë; në lidhje me raportet etnike dhe fetare të rajoneve periferike të kombeve serbe, shqiptare, bullgare dhe greke gjatë pesë shekujve të sundimit otoman; në lidhje me veprimtarinë e fuqive të mëdha dhe aleancat e hapura apo sekrete të tyre me kombe të caktuara ballkanikë; në lidhje me rivalitetet dhe armiqësitë e fuqive të mëdha për çështje të ndryshme ballkanike; në lidhje me periudhën e krizës lindore dhe largimit gradual të pushtuesit osmanë nga Ballkani; në lidhje me luftërat për liri apo kryengritjet serbe dhe më vonë greke për çlirim kombëtar dhe pjesëmarrjen e kontributin shqiptar sidomos në kryengritjen greke të viteve 1820/1825; në lidhje me shtetformimin grek dhe serb respektivisht; në lidhje me përkatësinë etnike dhe fetare të popullsive në territoret në të cilat formohen shteti grek dhe ai serb përkatësisht; në lidhje me paqen e Shën Stefanit, kongresin e Berlinit, luftën e parë dhe luftën e dytë ballkanike; formimin e shtetit të vogël shqiptar dhe copëtimin e territorit të madh të banuar me shqiptarë etnikë në Ballkanin perëndimor; luftën e parë botërore dhe ndryshimet e Versajës pas kësaj; Shqiptarët në periudhën mbretërore përjetuan masakrat, reformat agrare dhe shpërnguljet e detyrueshme të popullsisë shqiptare nga Jugosllavia dhe Greqia drejt Azisë së vogël; marrëveshjet “xhentëlmene” dhe konventat turko-jugosllave dhe greko-turke për shkatërrimin e kombit shqiptar në Ballkan dhe zhdukjen e tij në shkretëtirat e Azisë së vogël.