Mbi katastrofën në Veri
Nga Fatos Lubonja
Një i njohur që punon në një dikaster, kur e pyeta sesi shkonin punët atje, më tha një ditë: “ç’të të them? Këta nuk shtojnë në organikë njerëz që bëjnë punën, por këshilltarë dhe zëdhënës shtypi”.
Nuk di se sa është e vërtetë kjo për çdo dikaster, por edhe nëse nuk është e vërtetë, është shumë e gjetur për të shprehur filozofinë e “punës” së politikanëve tanë. Këshilltarët dhe zëdhënësit janë simbole të dy aspekteve të kësaj “pune”. Kur themi “këshilltarët”, duhet të kemi parasysh gjetje pune për miq e militantë të partisë, kurse kur themi “zëdhënës shtypi”, duhet të kemi parasysh faktin se propagandimi i punës është shumë më i rëndësishëm sesa vetë puna.
Vlen të thuhen këto fjalë, veçanërisht duke pasur parasysh katastrofën që po ndodh në Veri, me përmbytjen e afro 10 mijë hektarëve tokë e të mijëra shtëpive. Unë nuk di se sa e vërtetë është akuza e hedhur në shtyp nga opozita, se portat nuk janë hapur sipas rregullores, kur ka arritur një nivel i caktuar i ujit, me synim që të grumbullohej ujë për të shitur pastaj energji. I takon prokurorisë me ekspertët e saj të hetojë për këtë. Por, ama, është një akuzë e besueshme, pikërisht kur ke parasysh filozofinë e punës me “këshilltarë” dhe “zëdhënës” e jo me specialistë.
Katastrofat natyrore mund të jenë ndonjëherë vërtet të mëdha, por ato nuk janë thjesht dhe vetëm natyrore, sepse reagimi ndaj tyre dhe, për më tepër, aftësia për t'i parandaluar ato janë njerëzore. Nuk është rastësi që fatkeqësitë më të mëdha natyrore, me pasoja më të rënda, zakonisht ndodhin në vendet që kanë shtete të dobët. Madje, përsa u përket katastrofave të lidhura me kushtet klimaterike, Shqipëria bën pjesë në ato vende që mund të konsiderohen fatlume, sepse ka një vendndodhje në glob për t'ia pasur zili shumë shtete.
Katastrofa jonë e fundit, përtej të paevitueshmes natyrore, po tregon thjesht se ne kemi një shtet të dështuar. E keqja është se askush nga forcat politike nuk kërkon t'i hyjë me themel një diskutimi se përse kemi një shtet të dështuar. Qeveria fshihet pas fatkeqësisë natyrore, që ka ndodhur edhe në vende të tjera, kurse opozita ka vetëm një hall: sesi ta shfrytëzojë këtë fatkeqësi për të ardhur në pushtet, por jo për të nxjerrë konkluzione që kanë të bëjnë me gjithë politikat që janë ndjekur. Dhe më e keqja është se, kur edhe pas katastrofash të tilla nuk ndodh kjo, atëherë vendi duket pa shpresë.
Sigurisht, po të tentosh të kërkosh shkaqet njerëzore të kësaj katastrofe e të japësh mendim se çfarë mund të bëhet në të ardhmen, do të duhej të shkruheshin libra. Nuk mjafton pra një shkrim si ky. Por, si qytetar dhe gazetar, dua të them me këtë shkrim, se kjo ngjarje duhet të ngrinte me të madhe një debat mbi dy tri gjëra:
Së pari, duhet të fuste në sitën e analizës dhe kritikës karakterin e investimeve publike në vendin tonë. Si dhe ku janë derdhur paratë e taksapaguesit shqiptar. E këtu besoj se nuk mund të mos kesh parasysh se, kur flitet për investime publike në Shqipëri, të vijnë ndërmend vetëm politika rrugësh - a thua se një vend ka nevojë vetëm për rrugë. E në këtë kontekst, nuk mund të mos të të vijnë ndërmend qindra milionët euro që janë derdhur në rrugën Durrës-Kukës, ndërkohë që i gjithë Veriu është lënë në pikë të hallit, siç e tregon edhe kjo katastrofë.
Së dyti, lidhur me të parën, kjo katastrofë duhet të rikthejë edhe një herë në vëmendje një problem që, pas krizës ekonomike botërore, është bërë temë e ditës kudo në botë. E kam fjalën për atë se, duke çuar deri në ekstrem modelin neolibaral perëndimor, te ne roli i shtetit u pakësua në maksimum dhe zhvillimi i vendit u la në dorë të spontanitetit të iniciativave private. (Për të mos folur për atë se shteti edhe u kap nga interesat mafioze private). Pra, gjoja në emër të interesave të vendit, por, në të vërtetë, në emër të interesave të grupeve të caktuara u tha sikur shpëtimi për çdo problem do të në vijë nëpërmjet privatizimit. Mirëpo edhe në vende ku morali është shumë më i lartë dhe ku gjyqësori punon, si SHBA, kjo filozofi tregoi dobësinë e rrezikshmërinë e saj, sepse shpesh lënia në dorë të gjithçkaje dhe pa kontroll privatit, mund të sjellë spekulim e pasurim të një pakice dhe katastrofa për shumicën. Mjafton të kesh parasysh shkatërrimin që u ka bërë lumenjve dhe pyjeve privati në vendin tonë, për të vërtetuar këtë e për të kërkuar rishikimin e këtyre politikave.
Së treti, lidhur me të dytën, kjo katastrofë po nxjerr në pah se një nga karakteristikat e një shteti të dështuar është mungesa e kontrollit të territorit. Krahas privatëve që kanë shkretuar pyje, kanë gërryer lumenj e kanë shkatërruar toka buke me investimet e tyre, kemi edhe një ushtri vandalësh që kanë ndërtuar ku kanë mundur, pa leje dhe me leje abuzive dhe sot ndodhen nën ujë. Më qesharakja është se këtyre njerëzve sot u premtohet dëmshpërblim nga paret e taksapaguesit shqiptar. Nuk mund të mos kujtosh me këtë rast, se edhe shtëpitë e Gërdecit qenë të gjitha abuzive. Në një shtet që funksionon, nuk lejohen këto ndërtime, ndërsa nëse ato janë dhënë me leje korruptive, ndëshkohen ata që i kanë dhënë këto leje. Ndërsa te ne, ndërkohë që premtimet e Sali Berishës për kontroll territori kanë rezultuar thjesht demagogji, shohim se opozita, edhe ajo, premton dëmshpërblim sikur të vijë në pushtet. Përmenda shkurt dy-tri gjëra, që të vijnë vetvetiu në mendje. Sigurisht këto tema dhe të tjera kanë nevojë për punën e hollësishme të ekspertëve e të specialistëve të fushës. Edhe opozita, nëse ka ekspertë dhe jo “këshilltarë”, këtë analizë duhet të bëjë, e të ndërtojë një projekt alternativ daljeje nga shteti i dështuar dhe jo thjesht të kërkojë dorëheqjen e Dritan Priftit, a thua se sikur të kishte qenë ndonjë tjetër nuk do të kishte ndodhur kjo që ndodhi.
Që njerëz si Berisha, por edhe si Rama, por edhe shefat më të vegjël në krye të dikastereve më të ulëta nuk kanë nevojë për këshilltarë të vërtetë, të cilëve t'u kërkojnë mendim me të vërtetë, këtë e provon qëndrimi i tyre ndaj kritikave publike në media. Me gjithë problemet e shumta që ka media jonë, nuk kanë munguar ide e kritika racionale në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit nga intelektualë e gazetarë e politikanë. Kujtoj se edhe për piramidat financiare Berisha ka qenë i paralajmëruar, e megjithatë nuk reagoi, derisa erdhi katastrofa. Ashtu sikurse Rama për politikat e tij në ndërtim. Shkaku i mosreagimit të tyre për mua qëndron në lidhjet korruptive që nuk i lënë të dalin nga hullia ku janë futur, plus deliri i të plotfuqishmit. Ata nuk dëgjojnë dot fjalët e këshilltarëve të vërtetë specialistë, që dinë më shumë se ata në fushën përkatëse, sepse, në më të shpeshtën, këshillat e tyre do të binin ndesh me ato të sekserëve të tyre (prandaj dhe shpesh këshilltarët që zgjedhin bëjnë edhe punën e sekserit), si dhe sepse ata e konsiderojnë veten edhe kryeekspertë, ndjenjë që ua jep deliri i gjithëpushtetshmërisë. Le të mos harrojmë se vijmë nga një periudhë kur diktatori Hoxha, gjithëpushtetshmërinë e të cilit duket sheshit se këta e kanë zili, vendoste se Shqipëria kishte naftë dhe i çonte ekspertët në gjyq e i pushkatonte si sabotatorë kur nuk dilte naftë atje ku kishte thënë ai.
Kur politika, për qëllimet e pushtetit e të parasë, komandon teknikën e injoron edhe ligjet e natyrës, kështu ndodh. Kemi dëgjuar se edhe tuneli Rrëshen-Kalimash u shemb (sipas disave nuk bëhet dot më, kurse sipas disa të tjerëve do të hajë edhe kushedi sesa miliona të tjerë), pasi politika ka komanduar teknikën e ndërtimit të tuneleve, meqë ai duhej të inaugurohej përpara zgjedhjeve. Edhe për këtë kërkohet transparencë ekspertësh, sepse ato nuk janë paratë e Sali Berishës, por janë paratë tona.
Të keqen e madhe të injorimit të specialistëve e këshilltarëve të vërtetë për arsyet e përmendura më sipër politikanët tanë kërkojnë ta kompensojnë me të keqen tjetër: fenomenin “zëdhënës”. Punën duhet të dish ta shesësh, jo ta bësh. Ja pse duhen zëdhënësit, rolin e të cilëve, për fat të keq, e marrin edhe shumë gazetarë. Dhe kjo shkon deri në atë shkallë, sa shitja zëvendëson edhe vetë punën.
Rezultatet duken sheshit: Shqipëria është e përmbytur e gjitha, jo vetëm në Veri. Kjo katastrofë është vetëm pjesë e përmbytjes së gjithë Shqipërisë gjatë këtyre 20 vjetëve nga diletantizmi dhe korrupsioni i një klase politike kriminale dhe e papërgjegjshme, që është mësuar të mos përgjigjet edhe për gjëra më të mëdha (mjaft të kesh parasysh 97-ën) e që sa më shumë kalon koha, aq më tepër e katandis punën e saj në politika këshilltarësh dhe zëdhënësish, ndërkohë që specialistët dhe njerëzit e ndershëm, i lë pa punë, i shpall armiq e i detyron të ikin jashtë shtetit.