PROFIL/David Beckham, jeta e një ikone futbolli dhe mode
Ish-lojtari i Manchester United, Real Madrid dhe LA Galaxy, David Beckham tërhiqet nga futbolli i luajtur. Vendimin e vështirë e bëri publik vetë ish-kapiteni i Anglisë, që për vite me radhë shkëlqeu në fushën e blertë duke u shndërruar në njërin prej futbollistëve më të talentuar dhe të paguar në botën e futbollit vitet e fundit. Aventura e tij e fundit është kampionati francez. Ai në muajin janar nënshkroi një kontratë 5-mujore me PSG ku përfitoi një pagë të majme, të cilën njoftoi se do të dhuronte që të gjithën për bamirësi. Falenderoj shokët e mi, gjithë trajnerët e mëdhenj që kam patur dhe tifozët, tha Bekham gjatë vendimit të tij për tu tërhequr nga futbolli.
Karriera
Mesfushori që e nisi karrierën te Manchester United, për të vijuar më pas me Realin e Madridit, Los Angeles Galaxy, Milanin dhe ekipin francez, konsiderohet si ikona e futbollit ishullor, por edhe një imazh i suksesshëm për kopertinat e revistave. Pavarësisht ofertës së shoqërisë pariziene për zgjatjen e kontratës edhe me një sezon, 38-vjeçari vendosi ti varë këpucët në gozhdë, duke finalizuar një karrierë që njeh suksese të jashtëzakonshme. Nëpërmjet një komunikate të shkurtër, Beckham falënderoi Paris Saint Germain që i dha mundësinë të luante sërish në nivele të larta, por shtoi se ky është momenti duhur për tu tërhequr. 115 është numri i ndeshjeve të numrit 7 me fanellën e kombëtares së Anglisë ku ka shënuar edhe 17 gola, ndërsa karriera te Manchester United përfshin 394 ndeshje dhe 85 rrjeta në total. Rrugëtimi i David në vitin 2007 në Spanjë nuk rezultoi shumë i suksesshëm, pasi ai e gjeti veten mes një skuadre ëndrrash duke humbur dalëngadalë edhe besimin te vetja çka e detyroi të transferohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si merengues Beckham u aktivizua në 116 takime duke shënuar 13 gola, ndërsa në dy ndalesat e shkurtra në Milano ai regjistroi 29 takime të luajtura. Palmaresi i pasur përfshin 6 tituj Premier League, një në La Liga, dy në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një në Ligue One. Në turnetë ndërkombëtare nuk mungon as trofeu i Champions League i fituar në finalen e vitit 1999 kundër Bayernit të Mynihut, por edhe një kupë Interkontinentale. Futbolli për Beckahm ka shërbyer edhe si një trampolinë pasi brenda pak kohësh pas sukseseve të para në karrierë, ai u kthye në një sex symbol, i ndihmuar edhe nga imazhi i bashkëshortes së tij, Viktoria Beckham, e cila e ka ndjekur karrierën e tij hap pas hapi deri në ditën e fundit si lojtar profesionist. Beckham ndoshta nuk është një nga më të mirët e brezit të tij në lojën e topkëmbës, por padyshim që ai mbetet një nga njerëzit më interesantë në botën e marketingut sepse mjafton që të përmendet emri i tij dhe fanellat në mbarë botën arrijnë numër rekord shitjesh, duke arkëtuar edhe miliona dollarë në llogari të klubeve ku është aktivizuar. Gjithsesi, karriera jashtë fushës së blertë nuk e eklipson gjenialitetin e tij jashtë fushe sepse Beckham do të mbetet Beckham, unik në llojin e tij dhe i padeshifrueshëm në teknikën e lartë me topin. Mirupafshim Beck!
Babai i David tifoz i United, gjyshi i Tottenham
Beckam ka lindur në Londër. Babai i tij ishte një tifoz Manchester United dhe shumë shpesh bashkë me të birin shkonin në Old Trafford për të ndjekur ndeshjet e skuadrës së zemrës. Ky pasion për djajtë e kuq iu transmetua edhe David, megjithëse gjyqi ishte një tifoz i madh i Tottenham.
Martesa e shtrenjtë me Victorian
Në vitin 1997 Beckham nisi të frekuentonte Victoria Adams, këngëtare angleze dhe anëtare grupit famoz Spice Girls. Çifti tërhoqi menjëherë vëmendjen e medias që u vunë edhe nofkën “Posh dhe Becks”. Beckham u martua me këngëtaren në kështjellën e Luttrellstown, afër Dublinit, më 4 korrik 1999, duke ia dhënë eksluzivitetin e eventit revistës OK! Për 1,5 milionë euro, edhe pse shumë gazeta të tjera arritën të realizonin foto. Kostoja e dasmës shkoi afërsisht 500.000 stërlina, martesa më e kushtueshme në botë sipas një klasifikimi të revistës Forbes në 2007.
Simbol në fushën e publicitetit
Përveç aftësive të tij në fushën e blertë, Bekham u bë i njohur në botën e futbollit veçanërisht për faktin se u kthye në një prej njerëzve simbol në fushën e publicitetit. Madje, famën më të madhe Bekham e arriti pikërisht falë spoteve dhe fushatave të shumta publicitare, se sa në fushën e blertë. Madje rrjeti amerikan NBC transmetoi një spektakël televiziv për ardhjen e Beckham në Shtetet e Bashkuara.
Reagime për largimin e Beckham
Steve McClaren (ish-trajner anglez)
“Ai është një lojtar i madh. Ai kishte të gjitha kualitetet falë punës dhe profesionalizimit të tij. Ai bënte gjithçka më shumë gjatë stërvitjes duke inspiruar shokët e ekipit për të rritur performancën e tyre. Në fund të karrierës ai është një ambasador fantastik për futbollin dhe për vendin e tij në botë.
Gary Neville (ish-shok i Beckham te Manchester United)
“Ai është një ndër mesfushorët më të mirë që unë kam njohur, ashtu si dhe Giggs, Keane e Scholes. David ka qenë një centrues i madh, një pasues i madh, ai kishte energji të jashtëzakonshme. A ka kontribuar në ndryshimin e futbollit në Angli, ai ishte emisar i Anglisë në botë”.
Roy Hodgson (trajner i Anglisë:
“Ai është një lojtar fantastik, jo vetëm në klub, por edhe në ekipin e Anglisë. Ai bënte gjithnjë më të mirën kur i është kërkuar”.
DAVID BECKHAM
Data e lindjes: 2 maj 1975
Vendi i lindjes: Leytonstone (Angli)
Nënshtetësia: Angleze
Gjatësia: 1,82 m
Pesha: 74 kg
Disiplina: futboll
Posti: mesfushor
Klubet ku ka luajtur: Manchester United (1992-2003), Real Madrid (2003-2007), Los Angeles Galaxy (2007-2012), Paris SG (2013)
Huazime: Preston (D4/mars 1995-qershor 1995), AC Milan (janar-qershor 2009 dhe janar-mars 2010)
Ndeshje me kombëtare: 115 (1996-2009)
Gola me kombëtaren: 17
Trofetë në klube:
-Liga e Kampioneve: fitues (1999)
-Kupa Interkontinentale: fitues (1999)
-6 kampionate të Anglisë (1996, 1997, 1999, 2000, 2001, 2003)
-2 Kupa të Anglisë (1996, 1999)
-2 Community Shields (1996, 1997)
-1 kampionat të Spanjës (2007)
-1 Superkupë të Spanjës (2003)
-2 tituj të Ligës amerikano-veriore /MLS (2011, 2012)
-1 titull të kampionit të Francës (2013)