PROJEKTLIGJ “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 8950,
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 8950, DATË 10.10.2002, “PËR GJENDJEN CIVILE”,
TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.8950, datë 10.10.2002, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Neni 34, i ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 34
Deklarimi i lindjes
- Lindja e fëmijës deklarohet te nëpunësi i gjendjes civile nga prindërit , pjesëtarët madhorë të familjes, përfaqësuesit, ligjorë ose kujdestarë, dhe, në pamundësi ose mungesë të tyre, nga personat, që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen. Deklarimi mund të bëhet edhe nga përfaqësues të nënës, me prokurë të posaçme.
- Deklarimi i lindjes së fëmijës së gjetur, të cilit nuk i dihen prindërit, bëhet nga organet e njësisë së qeverisjes vendore, organi i rendit publik, në juridiksionin e të cilit ndodhet vendi i gjetjes, në bazë të procesverbalit të mbajtur në kohën e gjetjes së fëmijës.”.
Neni 2
Pas nenit 34 shtohet neni 34/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 34/1
Regjistrimi i lindjes
- Regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në zyrën e gjendjes civile të vendbanimit të prindërve.
- Për fëmijën e gjetur, të cilit nuk i dihen prindërit, regjistrimi bëhet në zyrën e gjendjes civile të vendit, ku është gjetur.
- Për fëmijët e lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga shtetas shqiptarë, me banim të përhershëm në Shqipëri, regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në përfaqësitë, diplomatike ose konsullore, shqiptare të vendit, ku ka lindur. Kur kjo është e pamundur, regjistrimi bëhet edhe në shërbimin e gjendjes civile, të atij vendi.
- Kur regjistrimi i lindjeve deklarohet brenda 60 ditëve, për lindjen brenda vendit, dhe 90 ditëve, për lindjen jashtë vendit, nëna përfiton shpërblim, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë. Ky fond përballohet nga buxheti i shtetit dhe tërhiqet pranë njësive të qeverisjes vendore përkatëse.
- Për të gjitha lindjet e padeklaruara deri tani dhe që kanë kaluar afatin, nëna do të përftojë shpërblim, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë, nëse bën deklarimin, brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
- Të gjitha subjektet shëndetësore, shtetërore dhe private, që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen, janë të detyruara që çdo ditë te hënë, të dërgojnë në zyrat e gjendjes civile, ku prindërit kanë vendbanimin, njoftimin për lindjet e ndodhura, pranë institucioneve të tyre.
- Njësitë operative të policisë, në terren, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, konstatojnë dhe konfirmojnë, në rrugë zyrtare, rastet e lindjeve dhe regjistrimin e tyre nga personat e parashikuar në nenin 34, në zonën, që ata mbulojnë.”.
Neni 3
Shkronja “b” e pikës 1, të nenit 69, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Shkelja ose moszbatimi i dispozitës së parashikuar në pikën 5, të nenit 34/1, dënohet me gjobë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.”.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
JOZEFINA TOPALLI