E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Administrata e Berishës më e korruptuara, zëvendësoi ekspertët me militantët e PD

TIRANE- Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë Berisha për dështim në sfidën e ngritjes së një administrate publike profesionale. Kandidatja për deputete Lindita Nikolla ka akuzuar maxhorancën se në 8 vite pushtet zëvendësoi ekspertët me militantët partiakë. 

"Sot na ndajnë dhe 49 ditë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët me votë të bashkuar do të largojnë Sali Berishën, kryeministrin e 100 dështimeve me të cilat ka rrënuar vendin. Sali Berisha dështoi me administratën publike. Erdhi në pushtet me premtimin e madh një qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë. Premtoi se administrata do të reduktohej me 10% dhe shpenzimet administrative me 25%. Por nuk bëri asnjë nga këto, përkundrazi, situata me administratën publike sot është alarmante. Profesionistët dhe ekspertët u hodhën në rrugë, në kundërshtim me ligjin për tu zëvendësuar me militantë partiakë që në mungesë absolute të meritokracisë vegjetojnë për tu aktivizuar në periudha fushatash elektorale. Këtë nuk e themi vetëm ne, por e ka nënvizuar me shqetësim dhe raporti i fundit i Komisionit Europian, i cili shton me tej se kjo administratë e ka tejet të vështirë të përmbushë detyrat që shoqërojnë përmbushjen e detyrimeve për të bërë përpara me integrimin evropian. Sali Berisha premtoi se do të ngrinte Universitetin e Administratës Publike, por nuk e bëri. Ose gënjeu që në fillim, ose rrugës kuptoi se mes një administrate të dobët, shumë ministra (si muli) e zëvendësministra (si Nardi) do binin më pak në sy. Administrata e Berishës sot jo vetëm që është e paaftë, por është edhe më e korruptuara! Përveç Partisë Socialiste, këtë po e denoncojnë tashmë me shqetësim të gjithë, brenda e jashtë vendit. Administrata e Sali Berishës, përveç se e paaftë dhe e korruptuar, për fat të keq nuk arriti të ishte as e vogël. Zvogëloi numrin e ministrive, por katërfishoi numrin e zëvendësministrave. Gjeti një administratë me 119 mijë të punësuar buxhetorë, dhe po e lë me mbi 128 mijë. Pra gati 10.000 më shumë militant të PD që presin urdhrin politik të radhës”, theksoi Nikolla. 

Sipas Nikollës kur opozita të vijë në pushtet do të ndryshojë procedurat e përzgjedhjes dhe promovimit të nëpunësve publikë, si e vetmja mundësi për të garantuar qëndrueshmërinë dhe përgjegjshmërinë e administratës publike.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›