E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS Argita trafik influence

Për PS-në, vajza e Kryeministrit Sali Berisha, Argita Berisha Malltezi krahas marrjes së pagesave shumë herë më shumë se profesorët më të mirë amerikanë, mund të renditet edhe si avokatja më e shtrenjtë në botë.

Deputeti Taulant Balla duke iu referuar një korrespondence mes zyrës së avokatisë së vajzës së kryeministrit me biznesmenin pakistanez Zafar Ansar tha se tarifat që ajo aplikon janë marramëndëse.

“Siç rezulton nga fatura që i drejtohet zotit Zafar Ansar, Argita Berisha faturon 280 mijë lekë orën e saj të punës. 280 mijë lekë, aq sa paguhet një jurist i administratës në Shqipëri në muaj, Argita Berisha paguhet në një orë. 12 milionë lekë, aq sa paguhen 20 drejtorë shkolle të gjithë bashkë në muaj, paguhet Argita Berisha në një muaj të vetëm! Ka edhe më shumë. Sipas komunikimit të ortakes së Argita Berishës me biznesmenin në fjalë, në rast të zbatimit të projektit për ndërtimin e termocentralit, kërkohet që suksesi të shpërblejë avokaten me 3% të vlerës së investimit, pra disa milionë Euro. Por pyetja jonë është: nga cili person varet licensimi i ndërtimit të termocentralit? Përgjigja është e thjeshtë. Nga Kryeministri i vendit Sali Berisha, njëkohësisht babai i avokates Argita Berisha”, tha Balla.

Në vijim të deklaratës deputeti Balla tha se Argita Berisha Malltezi meqënse thotë se pasurinë e deklaruar e ka përfituar nga mësimdhënia, botimet dhe  punimet shkencore le ti bëjë ato publike. “Ne ende nuk kemi parë ndonjë botim apo punim shkencor tuajin,- theksoi Balla,- i cili i drejtoj disa pyetje vajzës së Kryeministrit".

“Po këto shkëmbime me investitorin e zënë ngushtë mes zyrës së babait dhe zyrës tuaj i quani punë shkencore? Tregojuni shqiptarëve sa herë e keni bërë këtë punë shkencore dhe sa njerëz me dëshirë dhe projekte investimesh në Shqipëri janë zënë ngushtë mes zyrës së babait e zyrës suaj për firmën magjike që i hap udhë investimeve në Shqipëri?  Lëreni për një moment nxjerrjen e baltës antiopozitare me çarçafë nga shtëpia dhe na thoni zonja vajzë e kryeministrit, a ka ndonjë lidhje mes të ardhurave nga kjo shkencë e trafikut të influencës dhe të ardhurave të deklaruara nga shkenca në universitet? Edhe diçka zonja vajzë e kryeministrit. Në formë këshille kjo: Bëni pak kujdes me atë zbulimin tuaj të atyre 100 milionëve, se do dilni aq bllof sa do qeshë tërë bota me ju”, theksoi Balla.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›