PS, Baraj: Toka po rrëshqet për shkakun e kryeministrit

Duke iu referuar rrëshqitjeve të ndodhura sëfundmi në vendin tonë, Partia Socialiste vlerësoi dje se “toka nuk po i rrëshqet nën këmbë vetëm Sali Berishës, por gjithë shqiptarëve për shkakun e Sali Berishës”. Në një deklaratë për shtyp, deputeti socialist, Besnik Baraj, tha se rrëshqitja e tokës në vend tashmë është bërë lajm i përditshëm frikësonjës. Sipas tij, në çdo cep të vendit njerëz të tmerruar ankohen por nuk dëgjohen për shtëpitë e çara e të shkatërruara, pasuritë e rrënuara nga rrëshqitjet janë të kudondodhura, nga Tropoja në Rradhimë e Kakome, nga Çorovoda në Shkodër, nga Librazhdi në Currila të Durrësit, nga Puka ne Korçë, nga Mirdita ne Pogradec, Nga Kavaja në Sarandë. E tërë Shqipëria është në gjendje alarmi. “Këto rrëshqitje të kudo ndodhura në vend po të bëhen bashkë përbëjnë një katastrofë të vërtet për mijëra familje, të cilat duke qenë të shpërndara në gjithë territorin ja bëjnë më të kollajshme Qeverisë që t’i harroj ato”, vlerësoi Baraj. Ai theksoi se asnjë analizë e Qeverisë nuk është bërë për këtë situatë alarmante. Për deputetin e PS, investimet anti-erozion janë të papërfillshme dhe krejt të padukshme. “Zoti Berisha përpara se të bësh këto mbjellje, përpara se të bësh reaktor atomik, përpara se të mburresh se jemi vendi i vetëm në botë që përballon krizën, ndalo dëmtimin masiv të pyjeve, shkatërrimin e shtretërve të lumenjve, erozionin e frikshëm, përmbytjet si në Shkodër për shkakun tuaj por edhe në zona të tjera për shkak të shkatërrimit të sistemeve të drenazhimit”, apeloi sekretari për Mjedisin në Partinë Socialiste. Në fund të fjalës së tij, Baraj tha se “Shqipëria dita ditës rrëshqet, Saliu e Qeveria rrinë të qetë”.