PS: Berisha dështoi me politikat sociale, 7.7% e fëmijëve janë punëtorë
Tiranë- Partia Socialiste ka deklaruar sot se qevria aktuale ka dështuar me politikat e saj për të ndihmuar fëmijët dhe familjet në nevojë.
Në një deklaratë për mediat deputetja Eglantina Gjermeni u shpreh se kryeministri Berisha nuk bëri asgjë në luftën kundër varfërisë, duke thënë se sot fëmijët shqiptarë janë më të varfër, më të pambrojtur, më të dhunuar.
Një në katër fëmijë në Shqipëri është i varfër. Një në tre fëmijë është aktualisht në nevojë, por vetëm një e treta e tyre përfitojnë shërbime përkujdesjeje. Në familjet që janë në varfëri dhe trajtohen me ndihmë ekonomike, jetojnë rreth 160 mijë fëmijë. Ndërkohë që 25 % e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri, çka do të thotë që ata janë të paushqyer, janë shëndetligë, nuk e kanë luksin për jetë normale fëminore, dhe skanë akses në arsim e shërbime. 54,3% e fëmijëve të varfër në grupmoshën nga 6-18 vjeç nuk e ndjekin shkollën, sepse nuk përballojnë dot shpenzimet, kjo nuk është një akuzë për qeverisjen që vjen nga opozita, por nga studimi i UNICEF,- tha ajo.
Më tej gjermeni u shpreh se të drejtat e fëmijëve për kujdes shëndetësor, mbrojtje shoqërore, arsim e zhvillim janë larg kushteve dhe standardeve të zhvillimit normal të fëmijëve. Ajo deklaroi se qeveria dështoi në luftën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj fëmijëve. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka thuajse asnjë lloj shërbimi social shtetëror për të ndihmuar fëmijët viktima të dhunës, tha Gjermeni.
Instituti i Statistikës, INSTAT, raporton se në Shqipërinë e sotme 54 mijë fëmijë të moshës 5-17 vjeç, pra 7.7 për qind e fëmijëve shqiptarë, janë fëmijë punëtorë. Këta fëmijë janë të punësuar në miniera, në ndërtim, punojnë në kushte çnjerëzore dhe për pak qindarka, me të cilat u duhet të përballojnë jetesën apo u duhet të kontribuojnë në buxhetet e urisë të familjeve të rrënuara në këto 8 vite. Këta fëmijë janë të braktisur, rrezikojnë jetën ditën për diell, rrezikojnë shëndetin, dëmtohen, sëmuren dhe sikur të ishin skllevër shfrytëzohen në indiferencën dhe heshtjen absolute të shtetit të tyre,- deklaroi deputetja.
Ajo u shpreh gjithashtu se pavarësisht, se në Shqipëri puna e fëmijëve është ndaluar me ligj, fëmijët sot përbëjnë 28.5% të kontingjentit të punëtorëve të mitur.