E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS Berisha uzurpim institucioneve

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një konferencë për shtyp nga selia rozë, ka akuzuar kryeministrin Berisha se po zapton të gjitha institucionet e shtetit për interesat e tij personale.

“Berisha po vë nën komandën e tij institucionet më të rëndësishme të vendit. Bujar Nishani e ka bërë Presidencën institucion të dorës së dytë”, ka deklaruar Balla.

Deputeti socialist i është referuar në veçanti emërimit të ish-shefit të Shërbimit Informativ Ushtarak në krye të Policisë Ushtarake të vendit.

“Ylli Zyla, edhe pse i akuzuar për trafik armësh, u emërua në një post të rëndësishëm. Berisha duhet të përgjigjet për lidhjet e Ylli Zylës me trafikun e armëve”, ka nënvizuar Balla.

Më herët gjatë muajit, Partia Socialiste mbajti një qëndrim të ashpër ndaj presidentit Nishani, i cili me propozim të kryeministrit Berisha shkarkoi nga detyra shefin e SHISH, Bahri Shaqiri dhe emëroi Visho Likën, ish-drejtor i kundërzbulimit në SHIK, në periudhen 93-97.

Partia Socialiste deklaroi se qeveria po e kthen SHISH në shërbimin e viteve ’90, si dhe ngriti si shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por qeveria reagoi po aq ashpër ndaj akuzave të opozitës.

Zëdhënësja e kabinetit, Majlinda Bregu, tha se janë socialistët ata që gjatë qeverisjes së tyre kanë vendosur standarte uzurpuese mbi institucionet, duke emëruar në krye të tyre, siç tha ajo, ish-ministra apo anëtarë të kryesisë së partisë. Ç'ka sipas zonjës Bregu nuk po ndodh me qeverisjen aktuale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›