E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Celibashi: Situata në KQZ, rrjedhojë e presioneve politike

TIRANË- Partia Socialiste ka dënuar vendimmarrjen e KQZ për hapjen e e të gjitha kutive të Qarkut të Lezhës dhe rinumërimin e votave. Nëpërmjet një konference për shtyp, deputeti Ilirjan Celibashi theksoi se situata në KQZ është pasojë e presioneve politike.

“Edhe pse edhe nxitësit e kësaj iniciative ashtu sikurse edhe Partia Socialiste e kanë të qartë se në fund të fundit asgjë nuk do të ndryshojë në kuptimin e rezultatit zgjedhor, Partia Socialiste e denoncon këtë akt të papërgjegjshëm të KQZ dhe të nxitësve politikë të tij. E vetmja pasojë që do të vijë nga kjo që po ndodh është komprometimi akoma edhe më shumë i vlerave profesionale të 4 anëtarëve të mbetur të KQZ-së, si edhe komprometimi i vullnetit të qeverisë në largim për të bërë një rotacion qeverisës të denjë për një vend europian. Është e qartë për të gjithë se çfarë po ndodh aktualisht në KQZ është rrjedhojë e presionit politik të pakicës në largim”, tha Celibashi.

Celibashi duke vlerësuar se KQZ me 4 anëtarë nuk ka preteks ligjor për marrjen e një veprimi të tillë, tha se ajo është në kundërshtim edhe të vendimeve të marra më parë për raste të ngjashme.

“Sjellja e kësaj shumice në largim është tërësisht në kundërshtim me të gjitha qëndrimet dhe deklarimet që ajo ka bërë në të shkuarën në lidhje me kërkesa të tilla edhe pse këto kërkesa kanë qenë tërësisht të mbështetura në prova dhe fakte. Kjo vendimmarrje e KQZ është në kundërshtim të plotë jo vetëm me ligjin, por edhe me qëndrimet e fundit që ky institucion ka mbajtur në lidhje me kërkesa të tilla të ngjashme, për më tepër kur këto kërkesa kanë qenë tërësisht të mbështetura në indicie dhe prova”, përfundoi i Celbashi i cili shtoi se PS nuk ka asnjë kundërshtim me verifikimin e procesit kur vërehen parregullsi, por sipas tij gjithcka duhet të bëhet Brenda kuadrit ligjor.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›