PS: Dorëheqja e kreut të SHIU-t vërteton dokumentat

Deputeti i Partisë Socialiste Sajmir Tahiri ka deklaruar se dorëheqja e kreut të SHIU-t Ylli Zyla tregon edhe njëherë përfshirjen e zyrtarëve të lartë në tregëtinë e armëve.
“Është pak t`ju them por është e njëjta skemë me Gërdecin ku zyrtarë të lartë të ministrisë të mbrojtjes dhe njerëz të lidhur me pushtetin janë të përfshirë në tregëtinë e armëve. Vetë dorëheqja e kreut të SHIU-t tregon nga njëra anë të vërtetat e të dhënave të publikuara në media por nga ana tjetër duket si koperturë politike të vetë ministrit Imami por edhe të kreministrit” theksoi Tahiri.
Gjithashtu Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri i bëri thirrje ministrit Arben Imami që të lejojë kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes, në lidhje me dyshimet e publikuara në media për trafik armësh. Ai kërkoi nga ministri Imami, që të mos manipulojë dhe të fshehë tregtinë e armëve, por të tregohet transparent duke lejuar kontrollet e kërkuara nga PS.