Topalli në Asamblenë e OSBE: Shqipëria nuk është prekur nga kriza

Në më shumë se 20 vjet Shqipëria ka hedhur shumë hapa përprara në zhvillimin e saj por edhe në proceset integruese. Gjatë fjalës së mbajtur në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Monaco, kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se Shqipëria vijon me transformimin e saj të pandalshëm. Zonja. Topalli tha se gjatë viteve të fundit në proceset integruese vendi ynë ka shënuar hapa konkretë me anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë dhe afrimin me Bashkimin Europian.
"Rajoni i Ballkanit në këto 21 vite ka patur transformime të pabesueshme. Ka qenë OSBE e para që ka ngritur zërin kundra krimeve në Kosovë. Ju ishit të parët. Ne nuk e harrojmë këtë. Dy dekada më parë, vendi im ishte ndër vendet më të varfra në botë, me të ardhura 204 $ për frymë në vit. Sot Shqipëria, ndonëse e rrethuar nga kriza, vazhdon me rritje ekonomike.
Vetëm në 6 vitet e fundit të marra së bashku, ajo është rritur me 22%. Roli i Asamblesë në rrugën tonë drejt integrimit dhe përqafimit të vlerave universale ka qenë kyç e themelor. Ne ju jemi mirënjohës Ju të gjithëve. Ky rajon, ku filloi Lufta e Parë Botërore, dhe ku vetëm 10 vite më parë u bë lufta e fundit ne Europë, sot pas pavarësisë së Kosovës, jeton në paqe. 3 dite me pare u vendos qe te hiqej mbikqyrja, dëshmi e progresit te Kosovës" u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Zonja. Topalli po merr pjesë në punimet e Sesionit të 21-të të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Monako me teme "Rajoni në ndryshim", punimet e të cilit u hapën nga z.Michel Roger, Kryeministri i Monacos. Ndërkaq për herë të parë në tetorin e këtij viti vendi ynë pritet të zhvillojë Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.