E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: E majta duhet të bashkohet

Sekretari Ligjor bën thirrje për bashkimin e partive të majta me qëllim fitoren

TIRANË - Partia Socialiste bën sërish thirrje për bashkim të partive të majta me qëllimin e vetëm fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Ne mbetemi të hapur për dialog e bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës së vërtetë, të gatshëm të dialogojmë e debatojmë për të arritur në qëndrime të përbashkëta bashkëpunimi elektoral, në tryeza bisedimesh dialogu politik që përjashtojnë emocionet dhe mbështeten tek argumenti e alternativat konkrete si rruga e vetme për bashkëpunim e bashkim politik dhe elektoral. Bashkëpunimin dhe bashkimin e forcave opozitare në një front të vetëm nuk e do vetëm Sali Berisha, i cili mund të rrijë në pushtet siç erdhi në të nëpërmjet paaftësisë dhe përçarjes së opozitës”,- tha Sekretari për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafa. Ky i fundit vlerësoi se dialogu përmes partive të opozitës është një proces pozitiv që duhet t’i japë një dimension të ri jo dialogut në vetvete, por edhe të kontribuojë realisht për një bashkim të ri të forcave progresiste opozitare. “Ne nuk i lutemi askujt, nuk i bëjmë presion askujt për të qenë pjesë e këtij bashkimi, por ftojmë sinqerisht të gjitha forcat opozitare të bashkohemi në një front të përbashkët opozitar elektoral”, -tha Xhafa. Sekretari ligjor shtoi se të gjithë bashkë mund të bëjmë shumë më shumë. “Është koha e bashkimit për fitore, koha e bashkimit për t’ju sjellë shqiptarëve qeverisjen që meritojnë për një jetë ndryshe, për një jetë më të mirë e më të sigurt për ta, për familjen dhe mbi të gjitha për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, shtoi ai. Sekretari për Çështjet Ligjore kërkoi gjithashtu që formula e koalicionit të përbërë të mos kundërshtohet nga disa parti duke përcjelle disa argumente, meqë nuk kanë kuptim juridik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›