E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Xhafa: Prokuroria, reformimi në fshehtësi të plotë

Xhafa paralajmëron votën kundra çdo drafti për prokurorinë në kundërshtim me ligjin

TIRANË - Partia Socialiste denoncon mungesën e transparencës që po ndiqet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për hartimin e projektligjit për prokurorinë. Sekretari për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafa, ka deklaruar dje në një konference për shtyp se opozita nuk mund të japë opinion mbi një draft që nuk është bërë askund publik dhe se gjithçka që është mësuar rreth kësaj përmbajtjeje ka qenë vetëm përmes medias. “Përveç kontributit që ka dhënë media në këtë gjë nuk ka asnjë kontribut të mazhorancës, qeverisë dhe ministrisë përkatëse. Që nga dita që ka filluar ky proces nuk ka qoftë edhe një deklarim publik se çfarë synon një deklarim i tillë. Bëhet fjalë për një reformë thelbësore. Bëhet fjalë për të ndërhyrë në një institucion të rëndësishëm të pavarur siç është prokuroria, sistemi i prokurorisë dhe jo thjesht prokurorja e përgjithshme për ta bërë atë më efektiv në luftën ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Dhe kjo nuk duhet të jetë atribut i disa nëpunësve me gjithë respektin që mund të kem për ta si profesionist, por duhet të jetë kontribut i të gjitha forcave profesionale në Kuvend, duhet të jetë rrjedhojë e një konsultimi në radhë të parë me pushtetin gjyqësor, me prokurorinë dhe më gjerë. Duhet të jetë rrjedhojë e një debati publik dhe të gjerë profesionistësh”,- tha dje Xhafa. Dy ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, bëri thirrje për konsensus lidhur me tre projektet më të rëndësishme që lidhen si me reformën zgjedhore, ligjin e dosjeve ashtu edhe me draftin për prokurorinë. Pikërisht për këtë arsye, Xhafa tha se në rastin e draftit për prokurorinë nuk mund të kërkohet bashkimi i votave, pasi ende nuk ka një projekt konkret nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

Kontestimi

Megjithatë, përmes heshtjes dhe mungesës së transparencës nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, disa nga mediat e përditshme kanë botuar pjesë të këtij drafti ku dukshëm vihet re tendenca nga ana e qeverisë për ta vënë në kontroll sistemin e prokurorisë dhe instrumentet që ai ka. Në rast se bëhet fjalë pikërisht për këtë përmbajtje, atëherë Xhafa paralajmëron votën kundra të Partisë Socialiste. “Nëse bëhet fjalë për projektin që është botuar në media natyrisht që opozita nuk mund të japë jo thjesht numrat, por mbështetjen, vullnetin e saj politik dhe ligjor për produkte të tilla. Por ne nuk kemi asnjë arsye të paragjykojmë atë që do vijë, por kemi gjithë të drejtën të ngremë zërin për këtë mungesë transparence publike, për këtë draft që mund të çojë siç çoi në rastin e parë, në një ligj që ishte më shumë pjesë ballomash sesa një konceptim integral i ndryshimeve që do duhen të bëhen”, tha Xhafa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›