E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Eurobondet e qeverisë si kreditë e Sudes

Reagimi

Partia Socialiste deklaroi dje se e konsideron praktikën e qeverisë të marrjes së borxheve për të larë borxhe të mëparshme, një praktikë pa logjikë ekonomike. Sipas deputetes Mimi Kodheli, kjo është një praktikë e pastër piramidale, që tregon se qeveria po sillet si Sudja me buxhetin e shtetit.

"Ministria e Financave njoftoi për emetimin e eurobonove me një vlerë prej 300-350 milionë eurosh, rreth 200 milionë prej të cilave do të shkojnë për shlyerjen e një borxhi të mëparshëm, ndërsa pjesa tjetër për të financuar nevojat e buxhetit. Ministria e Financave e ka quajtur këtë operacion të huamarrjes publike të Shqipërisë një sukses, që do të ndihmojë ekonominë shqiptare, por në fakt ky borxh i ri provon edhe njëherë keqmenaxhimin e vazhdueshëm që i ka bërë ekonomisë së vendit qeveria e Sali Berishës”, deklaroi Kodheli.

Ministria e Financave ka deklaruar se synon ta zëvendësojë borxhin e shtrenjtë që mori në kohën kur kriza botërore pati arritur kulmin, me një kredi me interes më të ulët. Financimi i borxhit publik përmes zëvendësimit të stokut të borxhit të vjetër me borxh të ri është një praktikë e zakonshme për të gjitha vendet e botës.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›