E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria merr sërish kredi direkte te BSH

Gjatë muajit janar, Financat tërhoqën 3 miliardë lekë ndihmë nga banka qendrore

Ministria e Financave iu drejtua sërish Bankës së Shqipërisë për financim direkt të buxhetit të shtetit gjatë muajit dhjetor, gjë që konfirmon lajmet mbi vështirësi të konsiderueshme të financave publike. Sipas bilancit të Bankës së Shqipërisë të publikuar dje, gjatë muajit janar qeveria mbuloi shpenzimet e veta, duke përdorur edhe kredinë direkte, një mekanizëm që konsiderohet ekstrem dhe mund të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme. Qeveria e pati përdorur për herë të fundit këtë mekanizëm në muajin mars, kur pamundësia për të marrë hua në tregun e brendshëm përkoi me detyrimin për shlyerjen e punimeve në rrugën Rrëshen-Kalimash. Në atë rast, qeveria tërhoqi kredi direkte me vlerë të përgjithshme prej 7 miliardë lekësh, të cilat i shleu në muajt në vazhdim. Në bazë të ligjit mbi Bankën e Shqipërisë, qeveria duhet ta kthejë kredinë direkte brenda gjashtë muajsh.

Kredia direkte jepet nga Banka e Shqipërisë, duke përdorur emetim monetar dhe për këtë arsye, FMN-ja ka këshilluar prej kohësh që ky mekanizëm të përdoret vetëm në raste ekstreme. Qeveritë e ndryshme shqiptare e kanë përdorur kredinë direkte vetëm tri herë që nga viti 2002. Paratë e hedhura në treg në këtë mënyrë zakonisht konvertohen me shpejtësi në inflacion, por në të shkuarën, qeveritë kanë qenë të afta ta rikthejnë një borxh të tillë brenda pak muajsh.

Në vështirësi për likuiditet

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi javën e kaluar se “kriza botërore dha ndikimin e vet në Shqipëri në tremujorin e fundit 2009”, gjë që e shtyu qeverinë të ngrijë 25 miliardë lekë nga programi i shpenzimeve për vitin 2010. Por në një prezantim konfidencial që ekspertët e Ministrisë së Financave kanë bërë para qeverisë në janar, është propozuar shkurtimi i shpenzimeve me 40 miliardë lekë, duke e vlerësuar se ky shkurtim bazohet gjithsesi në një skenar optimist për ecurinë ekonomike të vendit. Sipas dokumentit prezantues, “buxheti i shtetit mund të përballet me vështirësi edhe më serioze se ato të muajve të fundit të vitit të kaluar”.

Nga ana tjetër, depozita e qeverisë pranë Bankës së Shqipërisë në muajin dhjetor ra në 10.9 miliardë lekë, (rreth 80 milionë euro), kuota më e ulët kjo që nga marsi i vitit të kaluar. Depozita e qeverisë pranë BSH u rrit sërish në 16 miliardë lekë në janar.

Investitorët monitorojnë

Disa ekspertë nga sistemi bankar po monitorojnë nga afër situatën buxhetore dhe ecurinë e përpjekjeve të Ministrisë së Financave për emetimin e eurobondeve në muajin maj. Qeveria shpreson të marrë borxhe me vlerë të përgjithshme prej 300 milionë eurosh, nga të cilat rreth 100 milionë do të përdoren për të mbuluar shpenzimet e buxhetit. Muajin e kaluar u përzgjodh konsulenti që do të prezantojë eurobondin shqiptar tek investitorët e mundshëm. Në mars pritet që Shqipëria të hyjë në vlerësimin e ‘Moody’s’, ndërsa në maj do të shikohet nëse Shqipëria do të tërheqë investitorë për borxhin e vet apo jo.

Të ardhurat më të ulëta se shpenzimet

Për herë të parë që nga viti 2002, shpenzimet operative të buxhetit të shtetit, ku hyjnë ato lloj shpenzimesh që vështirë se mund të ulen, qenë më të larta se sa të ardhurat tatimore të qeverisë. Të ardhurat tatimore qenë 270.6 miliardë lekë përkundrejt shpenzimeve korrente që qenë 282.5 miliardë lekë. Kjo do të thotë se qeveria shqiptare u detyrua të marrë borxhe jo vetëm për të financuar investimet publike, por edhe për të paguar paga, pensione apo interesa borxhi. Shkaku kryesor i kësaj situate është rritja e parave dhe pensioneve nga 1 maji i vitit 2009, pra dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Në rast se ekonomia nuk përmirësohet dhe të ardhurat e qeverisë nuk rikthehen te ritmet e larta të rritjes së para gjatë dekadës së fundit, Shqipëria mund të përballet me vështirësi të konsiderueshme financiare.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›