PS: KQZ-ja, mbajti peng Tiranën

Partia Socialiste përsëriti sot pasdite se nuk do të njohë rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit nëqoftëse nuk bëhet transparenca për të gjitha kutitë e dyshuara dhe të kontestuara ligjërisht prej saj. Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, tha në një konferencë për shtyp, se pas Beratit, KQZ-ja mbajti peng për llogari të Sali Berishës edhe Tiranën, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe të drejtën elementare të Partisë Socialiste për të zbardhur të vërtetën e dhjetëra kutive të dyshuara në Tiranë, njësoj si në Berat". "Shqiptarët po kuptojnë dita-ditës se rezultatet e 28 qershorit nuk janë pasqyrë besnike e vullnetit të tyre, po produkt i makinacioneve të një pushteti që u mohoi zgjedhje të lira", tha Imeraj, duke shtuar se, "këmbëngulja e Partisë Socialiste për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, është rruga e vetme për të mos lejuar që zgjedhjet në Shqipëri të kthehen në një skemë të mbyllur ku pushteti vendos në kundërshtim me vullnetin e popullit sovran.