E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Kallëzim në prokurori për kanibalizmin elektoral

Partia Socialiste reagoi sot për deklaratën e LSI-së, duke shtuar se që nesër Prokuroria do të disponojë të gjithë të vërtetën e kanibalizmit elektoral të ushtruar në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Megi Ajtyresa iu përgjigj akuzave të Ylli Manjanit duke deklaruar para pak minutash se “shqiptarët panë me shifra jo me fjalë vjedhjen e organizuar nga Saliu në tavolinën e Ristanit”.

Ajtyresa theksoi se PS do të publikojë përditë dokumente që hedhin dritë mbi kutitë e manipuluara për të përmbysur fitoren e kandidatit Edi Rama në Tiranë.

“Kusarët e votave janë të kapur me prova tronditëse që flasin vetë. Tirana s’mund të gjunjëzohet me vota të vjedhura pas një numërimi që na nxorri fitues në sytë e çdo shqiptari”, tha Ajtyresa.

Ajo nënvizoi se “Presim nga Kolegji Zgjedhor të japë drejtësi në emër të

ligjit dhe nga prokuroria të ndëshkojë ligjërisht falsifikatorët e zgjedhjeve”.

Megi Ajtyresa ripërsëriti se Partia Socialiste i ka fituar zgjedhjet në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë, duke theksuar se “Humbësit do të përballen me popullin sovran jo vetëm si humbës por edhe si shkelës të dhunshëm të vullnetit të popullit”.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›