PS: Ministri i Piramidave nuk e ndihmon dot Berishën në fshehjen e krimit elektoral

Tiranë, 28 Nëntor NOA Partia Socialiste reagoi përmes zëdhënëses së saj Armela Imeraj, mbi deklaratat e ministrit të Financave Ridvan Bode, i cili përsëriti në Pogradec, akuzat e ashpra të Berishës lidhur me familjen e kryetarit socialist Edi Rama.
Armela Imeraj vlerësoi se Ministri i Piramidave të 96-ës nuk e ndihmon dot Sali Berishën në tentativën e kotë për ta mbuluar krimin elektoral me një mal të turpshëm shpifjesh monstruoze për opozitën.
Në këtë pikë, Imeraj pohoi se Ministri i Piramidave të 96 ës paguhet nga taksat tona për të dhënë llogari për financat e shtetit për rrogat e prapambetura të mësuesve, për ndihmën ekonomike që nuk u jepet prej muajsh invalidëve apo për borxhet që u ka qeveria ndërtuesve të rrugëve elektorale.
Kurse në përfundim, në emër të PS, Imeraj edhe një herë siguroi se opozita do ta bëjë deri në fund detyrën e saj, dhe një pushtet që nuk e duron dot opozitën thjesht ka marrë fund.
Ridvan Bode ka qenë monistër i Financave edhe në periudhën 1992-1997 deri në rënien e qeverisë Meksi. Ai ishte i pari qeveritar që la të kuptojë në media në tetor 1996 se paratë e depozituara në firmat rentiere nuk ishin të sigurta.
Pak ditë më vonë, kur në vend ishte prag i zgjedhjeve lokale, presidenti i atëhershëm Berisha rrëzoi pretendimet e Bodes duke deklaruar se paratë e shqiptarëve janë më të pastrat.
Kjo çoi në qetësimin disi të shqiptarëve të trazuar nga deklarata e Bodes, por kjo u shoqërua me fluks të ri depozitimesh të parave në kompanitë piramidale derisa në janar 1997 nisi dhe epoka e frikshme e trazirave që fillimisht në jug, më tej kapluan tërë Shqipërinë, me pasoja që ndjehen edhe sot.
e.r/NOA - Lexoni si nisi replika: Bode: Rama, njeriu pa familje - punon kundër interesave të shqiptarëve