PS: Nuk i njohim rezultatet e KQZ-së, beteja ligjore vazhdon

Partia Socialiste ka deklaruar se nuk e njeh rezultatin e shpallur të shtunën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, ndërsa shton se ka prova të qarta të krimit elektoral që kanë shkatërruar zgjedhjet.
Në një konferencë për shtyp deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni theksoi se PS-ja njeh vetëm rezultatin e dalë për Tiranën përpara se KQZ-ja të shkatërronte zgjedhjet ndërsa shton gjithçka tjetër është një manipulim për të fshehur disfatën që pësoi kryeministri Berisha në të gjithë Shqipërinë.
Ajo gjithashtu theksoi se PS-ja do të vijojë me rrugën ligjore për të arritur drejtësinë e kërkuar, pasi sipas saj faktet për manipulime janë të pakundërshtueshme.
"KQZ-ja e Ristanit shpalli një rezultat të bazuar mbi shkelje ligji dhe abuzimi. Zarfet e zhdukura, fletët e shtuara, fletët që kanë fluturuar nga një qendër në tjetrën janë prova të qarta për atë çfarë ka ndodhur. PS-ja do të ndjekë rrugën ligjore e bindur në drejtësine e kauzës së saj", theksoi më tej Gjermeni.