Berisha: Të vendosur për të bashkëpunuar me opozitën
Qeveria shqiptare është e vendosur për të bashkëpunuar me opozitën duke respektuar ligjin dhe do të vijojë përpara me reformat në zhvillimin e vendit. Ky është premtimi që ka bërë kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në Bruksel në ceremoninë e krijimit të Partive Popullore Europiane.
Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se i ka informuar anëtarët e PPE-së për zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe për fitoren e Partisë Demokratike.
“Ishte një moment i shkëlqyer për t`i informuar pjesëmarrësit për zgjedhjet në Shqipëri dhe përgëzimet ishin të përzemërta. Garantova që qeveria do të vijojë përpara me reformat dhe do të jetë e angazuar të bashkëpunojë me opozitën duke respektuar kuadrin ligjor” theksoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha bëri me dije se temë qëndrore në samitin e PPE-së ishte kriza ekonomike në eurozonë.
"Kjo krizë ka përmasa shumë të thella dhe është shoqëruar me një papunësi që shkon në 43 përëind në këto vende të prekura thellë. Në diskutimet e tyre u bë një analiZë e thellë e situatës por edhe një vendosshëmi për të bërë çdo ndërhyrje për të ndihmuar tre vendet më të prekura si Greqia, Portugalia dhe Irlanda” theksoi Berisha ndërsa shtoi se e kundërta ka ndodhur në Shqipëri ku reformat ekonomike ishin reforma suksesi.
Ai gjithashtu theksoi se qeveria do të vijojë me reformat ekonomike e politike, me rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe një sërë angazhimesh që do të shpien në zhvillimin e biznesit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
“Një nga arritjet më historike të këtij vendi është suksesi i reformave ekonomike, që bëjnë që sot Shqipëria të ketë rënie papunësie dhe kjo është reale, i vetmi ose më të paktat vende në Europë dhe botë; që bëjnë që të vazhdojnë projektet transformuese të vendit, politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve ndërkohë kur këto vende i kanë ulur rrogat dhe pensionet deri 39% dhe u kërkohet të vazhdojnë akoma. Ne vazhdojmë rritjen më të madhe, modeli ynë ekonomik funksionoi pavarësisht lumit të baltës që u përpoqën të hedhin”- theksoi Berisha.