E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Projektligji i ri, Berisha e Meta tallen me minatorët

Tiranë, 5 tetor NOA Mazhoranca e dyshes Berisha-Meta vazhdon të dëshmojë se problemet sociale të vendit, hallet dhe shqetësimet e shtresave në nevojë nuk janë në agjendën e punëve të tyre.

Kështu ka deklaruar sot deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj pas vendimit të qeverisë për të ulur moshën e pensionit të minatorëve.

Së fundmi, mazhoranca po bëhet gati të miratojë uljen e moshës së daljes në pension për minatorët nga 65 në 60 vjeç.

Ky ndryshim ligjor, në fakt, është tallje me mundin, sakrificat dhe rreziqet me të cilat përballen punonjësit e nëntokës.

Është tallje sepse nuk i jep zgjidhje nevojave të sotme të minatorëve apo ish-minatorëve.

Është tallje, sepse nuk ofron asgjë për mbi 5 mijë ish-minatorë që aktualisht nuk e mbyllin dot fundin e muajit me trajtimin e veçantë jo më shumë se 8 mijë lek në muaj që u jep qeveria Berisha-Meta tha Beqaj.

Sali Berisha vijon të tallet në mënyrë konstante me minatorët.

Minatorët dhe shqiptarët e njohin tashmë Sali Berishën dhe prandaj nuk ia dhanë votat për të qeverisur.

Por talljes së Berishës po i shtohet edhe tallja e Ilir Metës.

Meta nuk ka sesi të përshëndesë uljen e moshës së daljes në pension për minatorët kur në programin e tij kishte premtuar miratimin e statusit të minatorit.

Meta erdhi në pushtet, por statusi i minatorit do të hyjë që në muajin e parë të qeverisjes në listën e premtimeve të shkelura.

Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të ushtrojmë presion që puna, djersa, mundi dhe sakrifica e minatorëve të respektohen në Shqipëri përfundoi Beqaj.

k.k/NOA   

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›