E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitet, vendet e mbetura bosh në kryeqytet

06/10/2009  Numri i kuotave të parealizuara do të përcaktojë dhe modalitetet e fazës së tretë të pranimit

Pritet publikimi i vendimit për rishpërndarjen e re të fituesve për kuotat e mbetura

Marrja e vendimit për fazën e tretë të pranimeve në universitetet për këtë vit akademik do të bazohet tërësisht në numrin final të kuotave që kanë mbetur pa u realizuar nga mbyllja e regjistrimeve përfundimtare. Gjatë ditës së djeshme të gjitha universitetet publike kanë dorëzuar shkresat në MASH dhe pranë APRIAL-it, në të cilat janë evidentuar listat zyrtare me emrat e kandidatëve të regjistruar si dhe ato të vendeve bosh që nuk janë plotësuar. Specialistët e këtij institucioni kanë pohuar se ende nuk është marrë vendimi zyrtar për rishpërndarjen e re të fituesve në kuotat e parealizuara nëpërmjet formularit A-3. Megjithatë, burime pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës deklarojnë se universitetet e rretheve rezultojnë të kenë vende të shumta të paplotësuara, të cilat pritet të plotësohen në fazën e tretë me një renditje të re preferencash, që do të bëhet vetëm nga kandidatët që nuk janë regjistruar në asnjë institucion të arsimit të lartë në vend. Ndërkohë dy universitetet më të kërkuara në kryeqytet: ai i Tiranës dhe Politekniku, kanë evidentuar vendet e mbetura, që arrijnë rreth 240 kuota të paplotësuara.

Vendet bosh

Universiteti i Tiranës rezulton të ketë rreth 182 kuota të parealizuara nga faza e regjistrimeve përfundimtare. Fakulteti i Infermierisë, Gjuhëve të Huaja, Ekonomiku, Shkencat e Natyrës raportojnë numrin më të lartë të kuotave bosh nga totali i përmendur për këtë universitet. Ndërsa pranë Universiteti Politeknik kanë mbetur pa u realizuar rreth 46 kuota pranimi, ku numri më i lartë i përkasin degës së inxhinierisë mekanike.

Gjithashtu një numër i konsiderueshëm kuotash bosh rezultojnë edh pranë Universitetit Bujqësor dhe atyre të rretheve. Pak ditë më parë kreu i APRIAL-it ka pohuar se vendimi për fazën e tretë do të përcaktohet më datën 7 tetor, kohë në të cilën do të jenë kontrolluar të gjitha të dhënat e mbledhura mbi ecurinë e regjistrimeve përfundimtare.

Pranimet e reja

Ndonëse nuk është zyrtarizuar ende udhëzimi për fazën e tretë, është pohuar paraprakisht se në rast të mbetjes së shumë kuotave të paplotësuara, veçanërisht në universitetet e rretheve, do të hidhet në qarkullim formulari A-3 i preferencave. Në këtë të fundit do të listohen sipas një rendi të caktuar vetëm degët që kanë kuota bosh, të cilat do të përzgjidhen edhe një herë sipas rendit zbritës nga kandidatët që nuk janë shpallur fitues në asnjë nga fazat e pranimeve. Plotësimi i formularit do të bëhet pranë drejtorive arsimore të çdo rrethi përkatës për një afat kohor të përcaktuar njëjavor, sipas udhëzimeve specifike që do të përcaktojë MASH. Të drejtën e plotësimit të formularit A-3 do ta kenë kandidatët që nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve të dy fazave të para. Gjithashtu do të përcaktohet nëse plotësimi i formularit do të lejohet edhe për ata që janë shpallur fitues, por duan të ndërrojnë degë, si dhe atë kategori që është shpallur fitues në fazën e dytë, e që për arsye të caktuara nuk janë regjistruar, si dhe kandidatët që kanë fituar provimet me zgjedhje në vitet e mëparshme, por nuk janë regjistruar në asnjë program.

Studentët e Vlorës

Një tjetër shans u është dhënë studentëve të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës për të kryer procedurën e regjistrimit në degën ku janë shpallur fitues nga APRIAL-i për vitin akademik 2009-2010. Pavarësisht urdhrit të dhënë nga rektorati i këtij universiteti për mosregjistrim të studenteve të rinj me mesatare nën 6, këta të fundit të gjithë do të regjistrohen në degën ku janë shpallur fitues. Gjatë ditës së djeshme burime zyrtare të Ministrisë së Arsimit kanë deklaruar se do të shtyhet edhe një ditë tjetër afati zyrtar i regjistrimit vetëm për këtë kategori studentësh, të cilët u shpallën fitues nga procesi i Maturës Shtetërore. Kështu, të gjithë ata fitues të këtij universiteti që për shkak të problemeve të lindura me mesataren do të kenë edhe një ditë kohë për të paraqitur pranë sekretarisë së fakulteteve dosjen e regjistrimit. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton të gjithë maturantët fitues në programet e studimit në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës me mesatare nën 6 se kanë afat të regjistrohen pranë këtij institucioni deri nesër më datën 6 tetor 2009, ora 18:00. Ministria e Arsimit dhe Shkencës shtyn regjistrimin vetëm për këtë kategori studentësh pranë këtij institucioni për të mundësuar regjistrimin përfundimtar të tyre”, - ka pohuar dje drejtoresha e kabinetit në Ministrinë e Arsimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›