E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Ruçi: 3 ligjet miratohen të hënën? Më pyesni për fushatën

TIRANE - Parlamenti pritet të mblidhet ditën e hënë në seancë të jashtëzakonshme për votimin e të ashtuquajturave “3 ligjet e integrimit”. E ndërsa PD ka pranuar propozimin e LSI-së dhe të PS-së, për të votuar ato tani, por në fuqi të hyjnë në shtator, grupi i deputetëve socialistë ende nuk ka vendosur çfarë do bëjë. I kontaktuar me telefon nga “Gazeta Shqiptare” dhe i pyetur se si do të ishte qëndrimi i PS për 3 ligjet, kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, u përgjigj me një tjetër pyetje: “Keni ndonjë gjë për fushatën elektorale të PS në qarkun e Fierit?”, duke lënë të kuptohet se tashmë vëmendja është përqendruar tek fushata. Edhe pse këmbëngulëm të marrim një përgjigje, Ruçi sërish insistoi tek fushata.

Ndërkaq, ish-deputeti socialist, tashmë i rreshtuar në listën e kandidatëve të PD-së njoftoi në një koment në rrjetin social “Facebook” se: “Në javën e ardhshme, Kuvendi dhe politika shqiptare kanë një sfidë të trefishtë: 1) Të miratojnë dy ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit, me të cilat lidhet marrja e statusit të vendit kandidat në BE”. Sipas tij, “PD dhe LSI, në qeverisjen e përbashkët tentuan të bindin PS të bëhej pjesë e kësaj vendimmarrjeje për më shumë se dy vjet. PD dhe LSI, që tanimë është në koalicion parazgjedhor me PS janë deklaruar për miratimin e tyre, pritet PS të bëhet pjesë e kësaj vendimmarrjeje. Madje PD ka pranuar edhe kushtëzimin e PS të bërë publik përmes LSI-së, që këto ligje të hyjnë në fuqi në shtator”, shkruan Islami. Ai shprehet se sfida e dytë e Kuvendit dhe politikës shqiptare është “të debatojnë dhe marrin vendim për plotësimin e KQZ në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor. Debatet për mosmarrëveshjet mes palëve nuk duhet të pengojnë zgjidhjen përmes një vendimmarrjeje të Kuvendit dhe për më tepër duhet pasur parasysh se çdo mosmarrëveshje nuk mund të zgjidhet veçse në rrugë gjyqësore dhe çdo lloj justifikimi për të mos ndjekur rrugën gjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve qartësisht do të klasifikohej si taktikë politike, madje bllokuese”.

Islami shprehet se, “mbetet që të merret vendimi në Kuvend, pa humbur kohë, duke respektuar Kodin Zgjedhor dhe veçse kjo rrugë garanton ndërtimin e besimit midis palëve. Po ashtu zgjidhjet konsensuale duhet të kalojnë vetëm nga respektimi i Kodit Zgjedhor, përndryshe me shumë gjasa procesi do të ribllokohej për shkak të taktikave politike që keqpërdorin konsensusin”. Burimet thonë se 3 anëtarët e opozitës, të dorëhequr nga KQZ mendohet se mund të rikthehen në këtë komision, pas një konsensusi të mundshëm PS-PD. Dhe sfida e tretë, sipas Islamit është miratimi i amnistisë për biznesin.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›