E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Topalli mban përgjegjësi penale për skandalin e projektit të parlamentit të ri

Partia Socialiste ka reaguar ndaj skandalit të publikimit nga një gazetë austriake të fituesit të projektit për parlamentin e ri, 12 ditë përpara se të shpallej nga juria. Deputeti Taulant Balla tha se: Zonja Jozefinë mban tashmë përgjegjësi penale dhe duhet të japë llogari përpara ligjit.

Mes disko volanteve dhe shatllave që aq shumë e entuziazmuan Jozefinën, juria e zonjës kryetare përzgjodhi siprojekt fitues, Maketin 11022 T, të paraqitur  nga Studio vjeneze COOPHIMELB(L)AU.

Sikur të mos mjaftonin 2 milion eurot e shpenzuara më kot, për të transformuar qendrën e kulturës Pjetër Arbnori në një teatër, para të cilat një zot e di se në xhepat e kujt kanë përfunduar.

Sikur të mos mjaftonin të 700 mijë eurot që zonja Jozefinë shpenzoi për rikonstruksionin e sallës ekzistuese të Kuvendit vetëm pak muaj më parë. Kjo anëtare e regjimit të kusarisë vendos tanimë në mënyrë krejtësisht jo transparente dhe abuzive të shpenzojë disa dhjetëra në mos qindra miliona euro për ndërtimin e një parlamenti të ri, ku ndër të tjera do të përfshihet edhe një apartament luksoz banimi për Kryetarin e Kuvendit.

Një projekt ky që ashtu si rruga Durrës Kukës nuk ka të parashikuar një kosto.

Sikur të mos mjaftonte ky abuzim i papërgjegjshëm me paratë e taksapaguesve shqiptarë, zonja Jozefinë është përfshirë edhe në një tjetër skandal në lidhje me shpalljen e projektit fitues për kompleksin e ri parlamentar.

Sepse çuditërisht, kompania e zotit Wolfgang Prix na qenka shpallur fituese ende përpara se zonja kryetare të organizonte konkursin me jurinë ndërkombëtare.

Këtë e dëshmon fare qartë ky artikull i botuar në gazetën austriake Wienner Zeitung, më datë 12 mars 2011, pra plot 12 ditë përpara se zonja Jozefinë të shpallte zyrtarisht fituesin, dhe madje edhe 8 ditë përpara se të mblidhej juria ndërkombëtare e zonjës Jozefinë, tha Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›