E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: U manipulua shorti për Ministrin e Pandehur

Nga Daniela Bonollari
PS sqaron se, nuk ka rastësi në këtë mes, kur dosje kaq të rëndësishme si ajo e “Bashës” dhe “Fazllic” të bien në duart e gjyqatarëve që kanë lidhje të ngushta me PD. PS i drejtoi sot një apel qeverisë dhe kryeministrit. 

TIRANE-Partia Socialiste nuk është e bindur se cështja e Lulzim Bashës i ra me short gjyqtares Fatmira Hajdari. Zonja Hjadari është gruaja e të ndjerit deputet të Partisë Demokratike Azem Hajdari që u vra 10 vite më parë. Per socialistet nuk eshte rastesi qe dosja e ministrit te Berishes ra ne duart e nje personi te lidhur me PD. PS i bëri apel qeverisë “që të largojë duart nga drejtësia, sepse asnjë gjykim i cenuar ligjërisht e moralisht nuk mund ta shpëtojë nga drejtësia Ministrin Basha.

Në emër të PS, Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë e PS, Ylli Manjani dha një konferencë për shtyp ne seline e PS ku deklaroi se “për cështjen Basha u hodh një short i paligjshëm që e çoi ministrin e Partisë Demokratike në duart e një gjykatësi të lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike”.

“Në bazë të nenit 278/2 të Kodit të Procedurës Penale, të gjitha veprimet hetimore dhe vlefshmërinë e tyre e shqyrton i njëjti gjyqtar, pra në rastin konkret, gjyqtari i cili gjykoi tre jave më parë kërkesën për pezullimin e afateve lidhur me hetimin e dosjes penale të Lulëzim Bashës duhet të shqyrtonte edhe kërkesën e të pandehurit Lulëzim Basha. Por, kjo nuk ndodhi”, tha Manjani.
PS deklaron se ky rast nuk është i pari i këtij lloji. Sipas tyre manipulim e shortit për gjykimin e dosjeve u bë edhe me cështjen e Damir Fazllic. Manjani akuzoi se në të dyja rastet është shkelur Kodi i Procedurës Penale.

“Të dyja këto dosje janë devijuar drejt gjykatësish të lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike dhe kjo ka ndodhur në shkelje të plotë të Kodit të Procedurës Penale, të ligjit e të etikës së domosdoshme për çdo lloj gjykimi e jo më për gjykimin e këtyre dy skandaleve të mëdha me prapavijë të qartë politike e dëme të dukshme ekonomike e morale për qytetarët shqiptarë”.

PS sqaron se nuk ka rastësi në këtë mes, kur dosje kaq të rëndëisishme si ajo e “Bashës” dhe “Fazllic” të bien në duart e gjyqatarëve që kanë lidhje të ngushta me Partinë Demokratike. Në këtë kuadër, PS i bën apel qeverisë të largojë duart nga drejtësia.

“Ne e denoncojmë publikisht këtë farsë politike dhe i bëjmë apel qeverisë të largojë duart nga drejtësia, sepse asnjë gjykim i cenuar ligjërisht e moralisht nuk mund ta shpëtojë nga drejtësia as ministrin e pandehur dhe as sekserin serb të Sali Berishës”, tha Manjani.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›