E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS Vendimet e ERE-s sollen 30 mln USD humbje

Deputeti i Partisë Socialiste Arben Ahmetaj akuzoi Entin Rregullator të Energjisë se ka ulur çmimin e faturimit të energjisë elektrike, me të cilin KESH ia shet energjinë CEZ-it, pa ulur tarifat finale për qytetarët. Ahmetaj thotë se dëmi i shkaktuar është rreth 30 milionë dollarë në vit.

"Kam një vendim të Entit Rregullator të Energjisë numër 97, i vitit 2010, i cili e ul çmimin për faturimin ndaj KESH në CEZ, në 1.48 lekë. Cilat janë arsyet që KESH në vendime të ndryshme ka vazhduar gjithashtu të ulë çmimin e KESH ndaj CEZ, ndërkohë që çmimi që i faturon qytetarëve vetëm është rritur dhe në krahasim me vitin 2005 është rritur me 200 për qind. Ka një pyetje shumë të rëndësishme që ERE duhet t'i përgjigjet drejtpërsëdrejti: Cila është arsyeja që ERE ka ulur çmimin e KESH-it duke shkaktuar një dëm marramendës? Kjo aferë meriton një hetim nga institucionet përgjegjëse", tha Ahmetaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›