Në horizont po duken shenjat e para për prishjen e zgjedhjeve
Sa vjen, po bëhet më e qartë: Rama – Meta duan të prishin zgjedhjet. Tashmë nuk bëhet fjalë për të përgatitur opinionin se zgjedhjet “janë të pandershme”, se votat “i vodhi Saliu”, “hap kutitë ose largohu” e të tjera kësisoj banalitetesh të përsëritura deri në bezdi. Tashmë, sipas meje, ushtrohet presion psikologjik për të justifikuar prishjen e institucioneve, për të justifikuar bojkotin e zgjedhjeve të 23 qershorit në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar. Kush ta hajë (dhe dikush duket se po e ha), le ta hajë.
Në lëvizjen paprecedent për të bllokuar ose për ta shpërbërë KQZ-në në prag të zgjedhjeve, çka do ta quaja politike aq sa mund të lejojë semantika e kësaj fjale, fshihet frika (pse jo, llahtari) se rezultati i tyre (i zgjedhjeve) do ta linte të majtën në opozitë. Makutëria për të zhvatur nga të mundin nuk i lë krushqit e rinj të kuptojnë se mbetja e tyre edhe disa vjet në opozitë do të ishte në të mirën e përgjithshme, por edhe të së majtës në veçanti, pasi do ta vinte në binarët e një opozite siç e meriton një vend demokratik, që mëton integrimin në familjen e madhe europiane. Nga ky këndvështrim, nuk dihet cili e ka ngrënë ngjalën më të majme në Gjiun e Lalëzit, mikpritësi i integrimit apo miku i bllokimit.
Konteksti politik që po përjetojmë, vjen duke i kapërcyer kufijtë e absurdit, duke marrë format e dhunës institucionale ose individuale, verbale ose fizike. Sinjalet e para janë të frikshme. Më e pakta që mund të mendohet, është destabilizimi i vendit. Qoftë larg, të na shohin sytë një ‘97 a një 21 janar tjetër. Zaten kënga a qyqeve po na e kujton edhe kur nuk duhet. Rexhep Qosja ka prezantuar në Tiranë librin e tij të ri që e paska nisur më 21 janar 2011, ditën e protestës së organizuar nga Rama për shkak të Ilir Metës. Nuk di cilit nga dy partnerët e rinj ia ka lënë fajin në derë akademiku i Prishtinës, por s’ma merr mendja të ketë shkelur mbi vetvete që të kapërcejë si akrobat përtej “revolucionit të vonuar”. Ky fakt, ndoshta paksa në mugull, dashur a padashur nxit deduksione tashmë të njohura.
Thënia “ç’len nga macja, gjuan për minj”, vjen e merr kuptim politik që zbërthen ngjarjet e këtyre ditëve. Skenarët janë të lexueshëm. Muho refuzoi të jepte dorëheqjen nga KQZ-ja, ndërsa moralisht duhet ta kishte bërë përpara bashkëpartiakëve të tij në funksione qeveritare. Biba nxitoi të jepte dorëheqjen me sebepin se shkarkimi i Muhos nga Parlamenti i paska prekur integritetin si anëtar dhe nënkryetar i KQZ-së (!). Reaksioni zinxhir vazhdoi me dorëheqjen e Shtyllës dhe me “ngrirjen” e Janit të PBDNJ-së, duke e lënë KQZ-në vetëm me anëtarët e rekomanduar nga PD-ja e PR-ja. Ç’emër mund t’u vihet këtyre ngjarjeve aspak të rastësishme përveç se tentativa për të prishur zgjedhjet? Ndërkohë, Bizhga e pati kërcënuar Islamin në Parlament me frymëzimin e trakteve komuniste të kohës së Luftës, duke e quajtur tradhtar. Pa kaluar disa orë nga kërcënimi i Bizhgës, Tahiri dërgoi shpejt e shpejt përpara shtëpisë së Islamit një grusht socialistësh fanatikë, organizuar me dacibao në duar, sipas shembullit të “rojeve të kuqe” gjatë Revolucionit Kulturor Kinez. Nuk do të vazhdoja me prishjen e aleancave PD - LSI dhe me formimin e të rejave, PS - LSI në nivel vendor, çka do të ishte e pranueshme me largimin e LSI-së nga qeverisja qendrore. Por, patjetër, do të shtoja ngutjen e Qosjes për të promovuar librin e vet në piskun e katrahurës politike që po përjetojmë, duke na kujtuar 21 janarin. Kuadri i përgjithshëm është i frikshëm.
Strategjia e kësaj fushate parazgjedhore të dhunshme mbi opinionin publik e më tej, është ngritur mbi arsyetimin se KQZ është institucion i pavarur dhe se largimin e Muhos nuk e mbështesin partnerët ndërkombëtarë. Arsyetimi i parë bie poshtë që në pikënisje të formulimit politik, mbi të cilin është ndërtuar KQZ-ja. Prishja e njëanshme e balancës në një institucion të ngritur shprehimisht mbi konsiderata partiake i jep të drejtë palës së prekur të kërkojë rivendosjen e balancës. Shkarkimi i Muhos dhe caktimi i Zguros me votën e ligjvënësit e prek thelbin e pavarësisë së institucionit po aq sa edhe e kundërta, domethënë lënia të parit dhe moscaktimi i të dytit. Analogjitë logjike, qoftë edhe me premisa politike, janë kokëforta dhe s’lëshojnë pé, sido që t’i rrotullosh.
Arsyetimi i dytë është aq i besueshëm sa do të ishte se njeriu mund të fshihet pas gishtit. Këtë e beson vetëm Rama që e përsërit si papagall, ngase s’gjen dot shpëtim tjetër. Deri më sot, partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar shprehimisht zgjedhje të drejta e të ndershme, si test për të ardhmen e vendit. Kurse kërkesa për të mos ndërhyrë politika në KQZ, ka të bëjë me administrimin procesit zgjedhor, jo me formulën e ndërtimit të institucionit.