PS e shqetësuar për listat: 25 874 dublime, dhe 352 mijë votues pa adresë
Tiranë- Vetëm pesë ditë pasi Ministria e Brendshme bëri një pasqyrim të detajuar të listave zgjedhore, Partia Socialiste ka ngritur shqetësimin pasi sipas saj problematike mbeten dublimet e zgjedhësve dhe votuesit pa adresa.
Nënsekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Bledar Çuçi ka thënë gjatë një konference për shtyp se aktualisht janë 25 874 dublime zgjedhësish dhe 352 mijë votues pa adresë.
Ekspertët tanë përfundimisht kanë nxjerrë një shifër prej 25 874 shtetas të dyshuar si të dubluar në listat zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Problematika e dytë serioze që lidhet me listën e zgjedhësve ka të bëjë pikërisht me ata zgjedhës që ende figurojnë sot në listën e zgjedhësve pa një adresë një saktë zgjedhore. Ekstrakti i fundit të përbërësve zgjedhore është 352 337 zgjedhës, tha ai.
Sipas Çuçit, më problematik me numrim më të madh të zgjedhësve pa adresë mbetet Qarku i Tiranës, me 87 mijë votues, pasuar nga Qarku i Vlorës me 84 178, Qarku i Shkodrës me 38 827 dhe Qarku i Korçës me 27 593 votues.
Por sipas tij, PS-ja ka identifikuar të gjithë votuesit e dubluar dhe siguron se askush nuk do të ketë mundësinë që më 23 qershor të votojë dy herë.
PS e ka të gjithë informacionin e detajuar të 25 874 zgjedhësve të dyshuar si të dubluar në lista se ku ndodhen, ku janë të regjistruar fiktivisht, kush e ka marrë dokumentin e identitetit, në cfarë qëndre votimi janë të regjistruar dhe në çfarë familje i përkasin si të dubluar. Ne kemi informacionin e plotë dhe garantojmë që asnjë nga këto zgjedhës nuk do të kenë mundësi që në datën 23 qershor të votojë më shumë se një herë, për shkak të të qenurit të tyre si të dubluar në listën e zgjedhësve, tha Çuçi në përfundim të fjalës së tij.
Më 4 maj, zv. Ministri i Brendshem, Ferdinand Poni ka deklaruar se gati 40 ditë përpara ditës së zgjedhjeve të 23 qershorit janë akoma edhe 2948 të dyshuar si të dubluar në listat zgjedhore.
“Numri personave me pjesë të adresës zgjedhore të paidentifikuar (kodi i banesës i panjohur brenda një qendre votimi të caktuar), në ekstraktin e datës 3 prill është 405.779 nga rreth 545 mijë në janar”,- tha Poni.