PS i propozon Metës: Rama kryeministri ynë!

PS e cila fitoi zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit dhe ka shumicën e deputetëve në kuvend, i ka drejtuar presidentit të republikës Ilir Meta propozimin që Edi Rama të jetë kryeministër i Shqipërisë. Kjo bëhet e ditur nga disa media shqiptare. Sipas tyre sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, në zbatim të nenit 96 të Kushtetutës, i dërgoi Presidentit Ilir Meta propozimin e partisë.
Sipas ligjit me mandatimin e kryeministrit nga Presidenti, Kryeministri i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin qeverisës dhe emrat e ministrave. Pas miratimit në Parlament, kryeministri i dërgon Presidentit për dekretim ministrat, i cili duhet të shprehet brenda 7 ditëve.
Dekretet e miratuara nga Presidenti kalohen sërish nga kuvendi në një afat 10 ditë. Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat do të betohen para Presidentit.
Vetëm pak ditë më parë presidenti Ilir Meta dekretoi mbledhjen e parlamentit të ri më 10 shtator.
Ende është e paqartë ecuria e marrëdhënieve të mëtejshme mes presidentit Meta dhe maxhorancës socialiste. Në ditët e fundit të legjislaturës së kaluar, parlamenti i dominuar nga socialistët e shkarkoi nga detyra kreun e shtetit. Mbledhja e parlamentit të ri dhe hyrja e opozitës së djathtë pritet të sjelli zhvillime të reja në politikën shqiptare. Pak ditë më parë zoti Rama deklaroi se “Jam i gatshëm të pres çdo lloj projekti politik për të ardhmen e vendit”.