PS kërkon përjashtimin e Berishës nga Kuvendi pas deklaratave për ambasadorin Gonzato

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar përjashtimin për 30 ditë nga Kuvendi të deputetit Sali Berisha, pas deklaratave të tij ndaj ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, të cilat u cilësuan si “incident i rëndë diplomatik”.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në seancën plenare, tha se reagimi i Komisioneres për Zgjerimin të BE-së, Marta Kos, dëshmon se situata ka marrë përmasa serioze.
“Ju paralajmëruam në mëngjes për një incident të rëndë diplomatik, por masat e situatës janë rënduar. Komisionerja për Zgjerimin i ka kërkuar Partisë Demokratike të distancohet nga kjo deklaratë e turpshme,” – deklaroi Balla.
Ai informoi Kuvendin se PS i është drejtuar Komisionit të Etikës për të kërkuar përjashtimin e Berishës për 30 ditë, duke u mbështetur në nenin 10 dhe nenin 65 të rregullores parlamentare, që ndalojnë sjelljet që cenojnë dinjitetin dhe parashikojnë masa disiplinore.
“Zoti kryetar, ju informoj që i jemi drejtuar Komisionit të Etikës për të kërkuar përjashtimin për 30 ditë të deputetit Sali Berisha,” – tha Balla.
“Ne kemi depozituar kërkesën bazuar në Kodin e Etikës së Kuvendit të Shqipërisë. I cili thotë në nenin 6 që: Gjuha jo parlamentare dhe diskriminuese , deputetit i ndalohet të përdorë një gjuhë të shprehur cila nxitë urrejtjen në bazë të racës, gjinisë , moshës, origjinës kombëtare, përkatësisë etnike, etj. Bazuar në nenin 10. Ndalimi ngacmimin seksual: Deputetit i ndalohet çdo sjellje me natyrë seksuale që prek dinjitetin e cilitdo dhe që konsiderohet i padëshiruar. Bazuar në Nenin 65/1 Masat disiplinore përjashtim nga pjesëmarrja në Komisionet Parlamentare dhe në seancë Plenare. Z. Kryetar i Kuvendit ju informoj se i jemi drejtuar Komisionit të Etikës për të kërkuar përjashtimin me 30 ditë të deputetit Sali Berisha.”- deklaroi Balla.
/rtsh.al/