PS kërkon të dënohet dhuna ndaj policëve, PD kërkon të dënohet dhuna ndaj të miturve/ Debat në Komisionin Parlamentar

Protestat dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama u bënë temë debati edhe në komisionet parlamentare. Ndërsa mazhoranca vijoi shqyrtimin e projektligjeve, deputetët e opozitës e përqendruan pjesëmarrjen e tyre te zhvillimet në rrugë, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja. Nga ana tjetër, drejtuesit socialistë të komisioneve kërkuan që opozita të dënojë sulmet ndaj policëve dhe të distancohet nga personat me maska që kanë përdorur molotovë gjatë protestave.
“Ne si grup parlamentar i PD, opozita në parlament dhe jashtë parlamentit i mbështesim pa ekuivok dhe jemi në krah të studentëve, të nxënësve e qytetarëve që ngrihen për një Shqipëri më të mirë, për një qeveri transparente, për një shtet ligjor ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. T’i dëgjojmë çfarë kërkojnë qytetarët: të shkrihet parlamenti dhe zgjedhje të lira e të ndershme, një qeveri tranzitore, votë të lirë, të ndershme e të barabartë. Asnjëri nuk distancohet nga dhuna kur keni dëgjuar drejtuesit e policisë që japin urdhëra ‘mos kurseni asnjë’. Si mund të hyjmë në BE kur drejtuesit e policisë mbrojnë karrigen e një njeriu të vetëm. Sa të rinj duhet të plagosen që të reagoni apo kërkoni viktima? 21 Janarin e bëtë ju. E bëri Edi Rama. Heshtni, dëgjoni qytetarët. Janë mbi 200 raste dhune të depozituara” ”, deklaroi deputetja e PD-së.
Kreu socialist i komisionit, Igli Hasani, iu përgjigj se Kuvendi është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe se opozita nuk mund të kërkojë shpërndarjen e tij vetëm sepse nuk e njeh rezultatin politik.
“Të gjithë përfaqësuesit e popullit në këtë Kuvend janë zgjedhur në mënyrë të lirë dhe demokratike, ashtu si dhe ju të PD-së dhe ne të PS-së përfaqësojmë elektoratin tonë. Thirrjeve për shpërndarje të parlamentit ne nuk kemi pse t’i përgjigjemi. Nëse dëshironi të hiqni dorë nga mandatet, bëjeni”, tha Hasani.
Debati ishte edhe më i gjatë në Komisionin për Çështjet e Brendshme, ku deputeti demokrat Isuf Çelaj kërkoi praninë e ministrit të Brendshëm për të dhënë shpjegime mbi veprimet e policisë gjatë protestave.
“Ministri i Brendshëm duhej të ishte në komision, të jepte hesap për dhunën ndaj të miturve, qytetarëve, të cilët janë sulmuar tej mase me gaz lotsjellës, deri në thyerje gjymtyrësh, goditje me plumba plastikë në pjesën e sipërme të trupit”, deklaroi Çelaj.
Ai kërkoi dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore dhe shpërndarjen e parlamentit.
“Nuk mund të rrimë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk e quaj normale që të bëni mbledhje sikur nuk ka ndodhur asgjë”, tha deputeti demokrat. Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili kërkoi që qeveria të japë llogari para Kuvendit dhe e cilësoi dorëheqjen si një rrugë për zgjidhjen e situatës.
“Zgjidhja politike që kërkojnë qytetarët fillon me dorëheqjen e qeverisë. Dorëheqja nuk është mëkat, është përgjegjësi, reflektim në raport me situatën”, tha Mediu.
Kreu socialist i komisionit, Bledi Çuçi, i kundërshtoi qëndrimet e opozitës, duke theksuar se përpara debatit për përgjegjësitë e policisë duhet të dënohet dhuna e ushtruar ndaj efektivëve.
“Do të ishte e sinqertë nga ju thirrja për të reflektuar nëse do ta fillonit me një qëndrim që duhet ta mbajmë të gjithë bashkë, që lidhet me dhunën që është ushtruar ndaj policisë, dhunë brutale, jo thjesht ndaj individëve të veshur me uniformë, por dhunë ndaj institucioneve kushtetuese të Shqipërisë”, tha Çuçi.
Ai bëri dallimin mes protestës paqësore dhe personave që përdorin mjete të dhunshme, duke kërkuar ndëshkimin e këtyre të fundit.
“Ka një ndryshim shumë të madh midis maskave me molotovë në dorë dhe policit me uniformë. Polici me uniformë vepron në bazë të ligjit dhe detyrimeve që krijon korpusi ligjor për atë që vesh uniformën. Përgjegjësia që ai mban, personale, është subjekt i një hetimi në bazë të strukturave të ngritura me ligj”, deklaroi Çuçi.
Sipas tij, edhe rastet kur efektivët tejkalojnë kompetencat duhet të hetohen, por kjo nuk mund të përdoret për të justifikuar sulmet ndaj policisë dhe institucioneve.
“Protesta është e ligjshme, por dhuna e vandalizmi janë të patolerueshme”, theksoi Çuçi, duke shtuar se opozita duhej të shprehte të paktën solidaritet me policët e lënduar.
Mediu u përgjigj se është kundër çdo forme dhune, pavarësisht se nga kush ushtrohet. “Dhuna nuk është çështje numrash, dhuna është shkelje ligji nga kushdo krah që vjen, por sidomos nga ato struktura që janë betuar mbi ligjin për të mbrojtur qytetarin, dhe jo pushtetin”, tha ai.
“Prapë nuk dëgjova një lloj solidariteti për ata policë që janë djegur me molotovë, që janë gjendur në breshëri dhune të paparë ndonjëherë, gurësh e lloj-lloj mjetesh piroteknike. Këtu fillon sinqeriteti”, replikoi Çuçi
Pas këtij shkëmbimi, dy deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja e komisionit.
Debate për protestat pati edhe në Komisionin e Bujqësisë, ku deputeti demokrat Xhelal Mziu e përshkroi situatën në vend si një “gjendje lufte” dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit.
“Studentët kanë një kërkesë, dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie teknike”, tha Mziu.
Kreu socialist i komisionit, Blendi Klosi, i kujtoi opozitës se debatet politike mund të zhvillohen në seancën plenare, ndërsa puna për projektligjet duhet të vazhdojë.
“Diskutimet politike do të jenë pasnesër në seancë. Ne do të jemi këtu të përgjegjshëm për të vijuar legjislacionin e nevojshëm në kuadër të integrimit. Do të kishim dëshirë të dëgjonim dhe oponencën tuaj për këto ligje, por ky është vendimi juaj politik”, tha Klosi.