PS kundër LSI-së, për votimin e 3 ligjeve, Rama përgënjeshtron Metën
“Statusi, jo kusht për koalicionin PS-LSI”?!
“Koalicioni nuk ka pasur asnjë kusht, por analizë dhe reflektim për të zhvilluar Shqipërinë. 3 ligjet as nuk kanë qenë dhe as nuk janë kusht i vendosur mes nesh, tre ligjet janë pjesë e sfidës së integrimit dhe për ne qëndrojnë pjesë e kësaj sfide dhe jo të veçuar të saj”. Kështu u shpreh dje, kryetari i PS, Edi Rama në përgjigje të qëndrimeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, mbi kushtin e votimit të 3 ligjeve nga socialistët. Ai mohon kategorikisht se PS ka dhënë “ok”-in për 3 ligjet e Brukselit, duke deklaruar se vazhdon të qëndrojë në pozita bllokuese. Deklaratat e tij Rama i bëri në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ajala, i cili veç vlerësimit për aleancën PS – LSI, kujtoi rëndësinë e zgjedhjeve të lira – por nga ana tjetër u rezervua, për të mos thënë, tha zero fjalë, për bllokimin e integrimit nga PS. Në këto kushte, pavarësisht se raportet PS – LSI po ngrihen mbi bashkëpunim, siç pretendon Rama, atëherë bëhet e pakuptimtë situata politike që karakterizon marrëveshjen mes këtyre dy forcave politike. Edi Rama e dha mesazhin..., ai s’do t’i votojë ligjet e integrimit, pavarësisht zotimit të partnerit të tij në koalicion, për miratimin e kushteve të Brukselit, brenda këtij mandati të parlamentit. Ky parlament mbyll punimet pas pak javësh dhe kësisoj koha është e limituar. Fakt është se, 3 kushtet e mbetura vazhdojnë të mbajnë Shqipërisë larg aspiratës së integrimit dhe për këtë ka vetëm një përgjegjës; Edi Rama. Gjithsesi, kuptohet, hallet për të, aktualisht janë më të mëdha se asnjëherë tjetër. Edhe pse është ende herët për të ngritur dyshime dhe aluduar për “krisje” të koalicionit të majtë (të sapo formuar), mosmarrëveshjet në dukje nuk janë asnjëherë të rastësishme...
...