PS kundër kërkesës së PD për çështjen “Becchetti”, Balla: Bie ndesh me Kushtetutën!

Socialistët kanë vendosur që të mos votojnë një prej komisioneve hetimore, çështjen “Becchetti”, pasi sipas kreut të grupit parlamentar të PS-së,Taulant Balla, kjo kërkesë bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesat e Shqipërisë. “Është e vërtetë që pakica ka të drejtë të ngrihet në komision hetimor, por kur kërkesa bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe mendoj që kjo kërkesë bie në kundërshtim me interesat e Shqipërisë në raport me disa procese gjyqësore që po zhvillon Shqipëria. Shpresoj që opozita në këtë fazë të procesit gjyqësor interesi që duhet të prevalojë është interesi i Shqipërisë. Shqipëria duhet të mbrojë interesat e saj”, tha Balla.
Tre cështjet për të cilat Partia Demokratike ka kërkuar të diskutohen në 3 Komisione Hetimore janë për zgjedhjet e 25 prillit që i quajnë “masakër zgjedhore”, për çështjen Becchetti ku Shqipëria ka humbur përballjen me sipërmarrësin italian në një Gjykatë Arbitrazhi dhe duhet të paguajë 110 mln euro si edhe për Inceneratorët që e kanë cilësuar një aferë mafioze.